Më 20 shtator, liderët e vendeve të Ballkanit Perëndimor do të takohen në New York me ftesë të Përfaqësuesit të lartë të Bashkimit Evropian(BE) për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell.
Këtë takim e kanë konfirmuar për Radion Evropa e Lirë burime brenda BE-së në Bruksel, të cilat kanë thënë se “tashmë është bërë traditë që në javën e shtatorit kur në New York zhvillohet seanca vjetore e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, shefi i diplomacisë evropiane të mbledhë në takim të tillë liderët e vendeve të Ballkanit Perëndimor”.
Këto burime kanë thënë se nuk e dinë se cili shtet do të përfaqësohet në cilin nivel, por janë shprehur të bindur se të gjitha shtetet do të marrin pjesë.
Kosovën në javën e takimeve në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së në New York do ta përfaqësojë presidentja, Vjosa Osmani.
Po ashtu është thënë se aty do të diskutohet për situatën globale, e ndryshuar në mënyrë dramatike pas pushtimit rus të Ukrainës, por edhe për situatën aktuale në rajonin e Ballkanit Perëndimor.
Pikërisht, lufta në Ukrainë është përmendur disa herë si një prej arsyeve shtesë që problemet e mbetura në këtë rajon duhet të zgjidhen sa më parë, në mënyrë që të parandalohet rritja e tensioneve.
BE-ja dhe SHBA-ja janë zotuar se do të bashkëpunojnë në të ardhmen në përpjekjet e përbashkëta për të ruajtur stabilitetin e rajonit të Ballkanit Perëndimorë dhe për t’i zgjidhur problemet që kanë mbetur.