Kryesia e Kuvendit të Kosovës nuk ka arritur ta caktojë seancën e re të Kuvendit, për shkak të mungesës së kuorumit. Në vend të seancës së re, u vendos që të enjten të mbahen dy vazhdime të seancave, ku njëra nga to do të jetë debati për grevat e përgjithshme në vend.
“Në mungesë të kuorumit të kryesisë u vendos që të enjten të mbahen dy vazhdimeve të seancave të Kuvendit të Kosovës, një për pikat e papërfunduara të së enjtes së kaluar, 15 shtator, tjetra si një vazhdim tjetër për pikat e sesionit pranveror të seancës së fundit, që janë votime të projektligjeve, votimi për projektligjin për qeverinë, për noterinë dhe zgjedhje e disa anëtarëve të bordeve”, ka thënë Adnan Rrustemi, deputet i Lëvizjes Vetëvendosje në Kuvendin e Kosovës.
Ndërkaq, fajtor për grevat, sipas shefit të grupit parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, është kryeministri i Kosovës Albin Kurti.
“Kjo është e papranueshme, dhe është e papranueshme kryeneçësia e km Kurit, i cili është përgjegjës direkt për këtë situatë që është shkaktuar në arsimin e Kosovës. Është një dëm jashtëzakonisht i madh që po i shkaktohet të ardhmes së Kosovës, humbja e mijëra orëve të mësimit për 320 mijë nxënës dhe mosshqetësimi i Qeverisë së Kosovës, kryeneçësia që po e tregojnë është e paprecedentë”, ka thënë Tahiri.
Tahiri, u ka bërë thirrje kryeministrit Albin Kurti dhe ministres së Arsimit, Arbërie Nagavci që ta gjejnë sa më shpejt një zgjidhje për grevat.
“I bëjmë thirrje km dhe ministrisë së arsimit, të ulen dhe ta gjejnë një zgjidhje me sindikatat. Kjo është një situatë e papranueshme, nuk duhet të vazhdojë më tutje. Ne shpresojmë që gjatë këtyre ditëve të gjendet një zgjidhje dhe të mos ketë nevojë të vazhdohet me debatin për grevat. Nëse vazhdohet deri në ditën e enjte, do të vazhdojmë me këtë pikë”, ka thënë ai.
Tahiri e ka kritikuar Qeverinë e Kosovës, duke thënë se ajo është “në gjendje kome”, për shkak se sipas tij, nuk është duke propozuar ligje të reja për Kryesinë e Kuvendit.