Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, të hënën ka pritur në takim Koordinatoren e Kombeve të Bashkuara për Zhvillim në Kosovë (UNKT), Arnhild Spence.
Lajmin për takimin e Konjufcës dhe Spences e ka njoftuar Drejtoria për media dhe marrëdhënie me publikun në Kuvendin e Kosovës.
Në takim, Konjufca ka shprehur mirënjohje ndaj Spence, për punën e misionit të Kombeve të Bashkuara, me fokus të veçantë, në mbështetjen e progresit dhe zhvillimit të qëndrueshëm në Kosovë.
Konjufca ka njoftuar koordinatoren e OKB-së për arritjet e deritanishme, detyrat, objektivat dhe synimet e legjislaturës së Kuvendit të Republikës së Kosovës.
Kryetari Konjufca dhe Koordinatorja Spence kanë shprehur gatishmërinë e thellimit të bashkëpunimit të ndërsjellë dhe koordinimit sa më efektiv për konsolidimin e demokracisë, zhvillimin e qëndrueshëm, mirëqenien e qytetarëve dhe mbështetjen e reformave integruese.