Të hënën e 19 shtatorit, Policia e Kosovës ka njoftuar se në Spitalin Rajonal në Pejë është gjetur një mjet shpërthyes në xhepin e jaknes së një pacienti.
E gjithë kjo është vërejtur pasi është kontrolluar nga stafi mjekësor në spital.
Këtë e ka konfirmuar për portalin Dukagjini, zëdhënësi i policisë për rajonin e Pejës, Fadil Gashi.
Gashi ka thënë se policia menjëherë ka dalë në vendin e ngjarjes, duke larguar njerëzit nga lokacioni për shkaqe sigurie.
“Rreth orës 12:40 policia është njoftuar se në Spitalin Rajonal në Pejë stafi mjekësor gjatë kontrollit të një pacienti në xhepin e tij të jaknes ka vërejtur një mjet shpërthyes. Policia menjëherë ka dalë në vendin e ngjarjes dhe ka bërë sigurimin e vendit të ngjarjes dhe janë larguar njerëzit nga lokacioni për shkaqe sigurie. Tash besoj ka arritur edhe njësiti për deminim”, ka thënë Gashi.