Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, të hënën e 19 shtatorit, ka udhëtuar për në New York, ku në margjina të sesionit të 77-të të Asamblesë së Kombeve të Bashkuara (UNGA), krahas liderëve të tjerë botërorë do të marrë pjesë në pritjen zyrtare të organizuar nga presidenti i SHBA-ve, Joe Biden.
Gjatë vizitës në New York, Presidentja Osmani, në funksion të përpjekjes për fuqizimin e subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës do të zhvillojë një sërë takimesh me krerë të delegacioneve të shteteve pjesëmarrëse në sesionin e Asamblesë së Kombeve të Bashkuara, zyrtarë të lartë amerikanë dhe udhëheqës të organizatave ndërkombëtare.
Po ashtu, presidentja e vendit do të ketë takim edhe me mërgatën shqiptare në Amerikë.
Ndërkaq në Fordham University, Osmani do ta mbajë një ligjëratë, në të cilën do të flasë për reformat në sistemin e drejtësisë, sundimin e ligjit, zhvillimin e demokracisë dhe forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës.
Në kuadër të kësaj vizite, Osmani do të shoqërohet edhe nga zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Jashtme dhe e Diasporës, Donika Gërvalla.
Më 20 shtator, liderët e vendeve të Ballkanit Perëndimor do të takohen në New York me ftesë të Përfaqësuesit të lartë të Bashkimit Evropian(BE) për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell.
Këtë takim e kanë konfirmuar për Radion Evropa e Lirë burime brenda BE-së në Bruksel, të cilat kanë thënë se “tashmë është bërë traditë që në javën e shtatorit kur në New York zhvillohet seanca vjetore e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, shefi i diplomacisë evropiane të mbledhë në takim të tillë liderët e vendeve të Ballkanit Perëndimor”.
Këto burime kanë thënë se nuk e dinë se cili shtet do të përfaqësohet në cilin nivel, por janë shprehur të bindur se të gjitha shtetet do të marrin pjesë.
Kosovën në javën e takimeve në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së në New York do ta përfaqësojë presidentja, Vjosa Osmani.
Po ashtu është thënë se aty do të diskutohet për situatën globale, e ndryshuar në mënyrë dramatike pas pushtimit rus të Ukrainës, por edhe për situatën aktuale në rajonin e Ballkanit Perëndimor.
Pikërisht, lufta në Ukrainë është përmendur disa herë si një prej arsyeve shtesë që problemet e mbetura në këtë rajon duhet të zgjidhen sa më parë, në mënyrë që të parandalohet rritja e tensioneve.
BE-ja dhe SHBA-ja janë zotuar se do të bashkëpunojnë në të ardhmen në përpjekjet e përbashkëta për të ruajtur stabilitetin e rajonit të Ballkanit Perëndimorë dhe për t’i zgjidhur problemet që kanë mbetur.