Posta e Kosovës ka njoftuar se të martën ka lëshuar në qarkullim pullën postare me titullin “Shtëpitë shkolla”.
Me anë të një njoftimi është bërë e ditur se të hënën e 20 shtatorit janë bërë 30 vjet nga dita e themelimit të Lidhjes së arsimtarëve shqiptarë “Naim Frashëri“, e cila pati rolin ministror mbi funksionimin e sistemit të pavarur të arsimit të Kosovës, pasi policia serbe rrethoi shkollat, duke mos lejuar mësimdhënësit dhe nxënësit të hyjnë në ndërtesa.
“Posta e Kosovës sot ka lëshuar në qarkullim të jashtëzakonshëm emisionin e pullës postare me titull “Shtëpitë shkolla’”,.
“Mësimdhënësit shqiptarë kishin refuzuar të jepnin mësim me kurrikulën e re serbe, kështu që shteti pushtues i shkarkoi ata nga puna. Drejtorët shqiptarë të shkollave u zëvendësuan më drejtorë serbë”, thuhet në njoftim.
Siç theksohet në njoftim, nxënësit dhe studentët shqiptarë – 400 mijë gjithsej – nuk shkuan në shkollë deri në janar 1992.
Sipas njoftimit, thuhet se për mbijetesën e arsimit shqip në Kosovë, familjet patriotike arsimdashëse hapën tre mijë e 200 shtëpitë e tyre, bodrume dhe garazhe private, që u shndërruan në shkolla të improvizuara për strehimin e mbi 100 mijë nxënësve të shkollave të mesme dhe studentë shqiptarë.
“Filatelia e Postës së Kosovës, përmes imazhit të pullës postare, nderon dhe kujton të gjithë arsimtarët, drejtorët e shkollave, pronarët e shtëpive dhe hapësirave për mësimdhënie, prindërit e gjeneratave të viteve të 90-ta, nxënësit për kontributin, qëndresën dhe sakrificën e tyre në ruajtjen dhe mbrojtjen e substancës së arsimit shqip dhe të identitetit kombëtar”, vijon njoftimi.