Njëri nga politikanët më të popullarizuar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (ShBA), Ted Cruz, e ka pritur në një takim në zyrat e Senatit afaristin kosovar, Shkëlqim Devolli.
Drejtuesi i njërës prej korporatave më të mëdha në Kosovë, Devolli Corporation, i ka folur senatorit teksan për marrëdhënien e veçantë të popullit kosovar me atë amerikan.
Gjithashtu, temë e diskutimit ka qenë edhe shtrirja e produkteve të korporatës kosovare në ShBA, me theks të veçantë te prodhimet tashmë të popullarizuara edhe në tregun amerikan, dyshekët e Comoditas.
Senatori Cruz, i cili kishte qenë në garë për ta fituar kandidaturën e republikanëve për president të SHBA-së, i ka uruar suksese të mëtutjeshme Devollit në afarizmin përtej Atlantikut.
Shkëlqim Devolli e ka vendosur qendrën logjistike dhe të distribuimit të bizneseve të “Devolli Corporation” për territorin amerikan në Texas.
Gjatë qëndrimit në SHBA, ai ditë më parë ka pasur një takim edhe me Guvernatorin e shtetit të Texasit, Greg Abbott, me të cilin ishin diskutuar temat e bashkëpunimit ekonomik SHBA – Kosovë.
Vitin e kaluar, “Devolli Corporation” kishte arritur qarkullim të përgjithshëm prej rreth 400 milionë eurosh, prej të cilave rreth 200 milionë eksporte drejt SHBA-së.
Me mbi 4 mijë e 500 të punësuar, në disa njësi biznesore dhe të prodhimit, kjo korporatë është shpallur edhe si punëdhënësja më e madhe dhe tatimpaguesja më e madhe në Kosovë.