Zyra e presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky, i është përgjigjur njoftimeve të papritura për referendume për bashkimin me Rusinë në pjesët e pushtuara të Ukrainës.
Kreu i Zyrës së Presidentit të Ukrainës, Andriy Yermak, përmes një postimi në Twitter këtë e ka quajtur “shantazh naiv me kërcënime dhe histori tmerri të ‘referendumeve’, ‘mobilizimeve’ nga ata që dinë të luftojnë vetëm me fëmijë dhe njerëz paqësorë”.
“Kështu duket frika nga disfata. Armiku ka frikë, manipulon në mënyrë primitive”, ka shkruar ai.
Yermak ka shtuar se “Ukraina do të zgjidhë çështjen ruse. Kërcënimi mund të eliminohet vetëm me forcë”.
Ministri i Jashtëm i Ukrainës, Dmytro Kuleba, gjithashtu hodhi poshtë njoftimet në një postim në Twitter, duke i quajtur referendumet “mashtrim”, raporton CNN.
Një këshilltar i shefit të shtabit të presidentit ukrainas, Mykhailo Podolyak, tha se rusët vendosën t’i përgjigjen në mënyrë asimetrike kundërsulmit ukrainas.
Mykhailo Podolyak ka shkruar të martën në Twitter se “Duke menduar se ‘referendumi’ i paligjshëm do të ndalojë HIMARS-in dhe Forcat e Armatosura të shkatërrojnë pushtuesit në tokën tonë. Dëshironi vërtet të kaloni kohën e nevojshme për t’u arratisur për një shfaqje të re? Provoni…Do të jetë interesante…”.