Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, gjatë vizitës në New York ka takuar këshilltarin special në Departamentin Amerikan të Shtetit, Derek Chollet, si dhe përfaqësuesin special të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.
Osmani, në një postim në rrjetin social Twitter, ka bërë të ditur se në takim me Chollet dhe Escobar diskutuan për integrimin euroatlantik të Kosovës, i cili sipas saj është një domosdoshmëri për stabilitet të qëndrueshëm.
“Në New York u takova me këshilltarin në Departamentin Amerikan të Shtetit Chollet dhe DAS Escobar për të diskutuar integrimin euroatlantik të Kosovës, për të cilin theksova se është një domosdoshmëri për stabilitet të qëndrueshëm”, ka shkruar ajo në Twitter, transmeton Dukagjini.
Po ashtu, Osmani ka falënderuar Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për rolin e tyre aktiv në mbështetjen e dialogut Kosovë-Serbi.
Ndërkaq, presidentja e vendit ka marrë pjesë të martën në takimin e organizuar nga përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian, Josep Borrell me krerët e shteteve të Ballkanit Perëndimor në New York.
Në një postim në llogarinë e saj në Facebook, e para e vendit ka thënë se ka kërkuar përmbyllje urgjente të çështjes së liberalizimit të vizave dhe mbështetje nga BE-ja për tejkalimin e krizës energjetike këtë dimër.
Ndryshe, të martën, liderët e vendeve të Ballkanit Perëndimor janë takuar në New York me ftesë të përfaqësuesit të lartë të Bashkimit Evropian(BE) për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell.
Osmani në New York: Kërkova përmbyllje urgjente të çështjes së liberalizimit të vizave