Të mërkurën e 21 shtatorit, zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog i Kosovës, Besnik Bislimi, së bashku me Ministrin e Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, kanë pritur në takim zv.Drejtorin Menaxhues të Fondit Monetar Ndërkombëtar(FMN), Bo Li.
Në këtë takim u bisedua mbi sfidat dhe prioritetet e Qeverisë, ku me theks të veçantë ishte për masat e ndërmarra për lehtësimin e efekteve të krizës së shkaktuar nga agresioni dhe pushtimi rus në Ukrainë dhe mbështetja e shtresave të shoqërisë të cilat janë më të prekura.
Sa i përket krizës energjetike, që po prek edhe Kosovën sikurse pjesën më të madhe të botës, u veçuan masat e ndërmarra nga Qeveria për kursim dhe subvencionim të energjisë elektrike.
Për të përballuar krizën e shkaktuar në këtë sektor, në mbledhjen e fundit të Qeverisë, u ndanë dhe 19 milionë euro për subvencionimin e energjisë elektrike për qytetarët, me qëllim të uljes së ndikimit të tarifave të energjisë, si dhe 6 milionë euro për zbatim të masave të efiçiencës së energjisë.
Gjithashtu u përmend dhe dyfishimi së fundmi i pagesës për përfituesit e skemës së ndihmës sociale për muajin shtator 2022, mbështetja e vazhdueshme për pensionistët, dhe familjet me asistencë sociale, në kuadër të vazhdimit të zbatimit të masave të parashikuara në Pakon e Ringjalljes Ekonomike.
Bo Li e ka përgëzuar Qeverinë për ndërmarrjen e masave në kohën e duhur, për të zvogëluar ndikimin te qytetarët të krizës me të cilën po përballet Evropa përmes mbështetjes së targetuar dhe për të ruajtur stabilitetin makro-fiskal.
Ai e vlerësoi pozitivisht vendimin e Qeverisë për moslejimin e tërheqjes së fondeve pensionale nga Trusti, që do të minonte sistemin pensional.
Zëvendëskryeministri Bislimi dhe Ministri Murati, duke e falënderuar Bo Li për vizitën dhe bisedën, theksuan se e vlerësojnë lartësisht mbështetjen e vazhdueshme dhe mirëpresin përkrahjen e Fondit Monetar Ndërkombëtar për tejkalimin e sfidave dhe rritjen e bashkëpunimit.