Në ditën e parë të korrikut, Ministria e Jashtme hapi një konkurs për pranimin e 32 zyrtarëve në misionin diplomatik.
RTV Dukagjini, ka raportuar atë kohë që i njëjti ka shkelje ligjore dhe procedurat e rekrutimit nuk ishin në përputhje me ligjin për zyrtarë publik.
Përkundër këtij fakti dhe reagimeve të shoqërisë civile, MPJD kishte vazhduar të gjitha procedurat e konkursit, intervistimin e kandidatëve dhe testimin e tyre.
Se ky konkurs ishte i jashtëligjshëm, gjatë së martës e ka konfirmuar edhe Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për Shërbim Civil të Kosovës.
Ky institucion me anë të një vendimi ka kërkuar anulimin e tij në afat prej 15 ditësh.
“Kolegji i Këshillit konstaton se shpallja e rekrutimit për 32 zyrtarë të misionit diplomatik është bërë në kundërshtim me nenin 17 paragrafi 2, 3 dhe 4 të Ligjit Nr.06/L-114 për Zyrtarë Publikë. Rrjedhimisht sipas vlerësimit të Kolegjit, kjo mënyrë e shpalljes se rekrutimit është kundërshtim me parimet e pranimit të përcaktuara”.
E kjo ministri si zakonisht po qëndron e mbyllur për media.
“RTV Dukagjini ka pyetur ministrinë e Jashtme në lidhje me zbatimin e vendimit për anulimin e këtij konkursi, mirëpo nuk ky institucion nuk ka kthyer përgjigje, jo vetëm për rastin e fundit, por kjo ministri ka qëndruar në heshtje edhe për tema të tjera që televizioni ynë ka kërkuar një përgjigje nga ta”.
Nga hapja e këtij konkursi, edhe Grupi për Studime Juridike dhe Politike ka kërkuar anulimin e tij.
“Përpara se të kalohet në një konkurs të jashtëm, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës është dashtë fillimisht të sigurojë që fillimisht sistemimi i të gjithë zyrtarëve është përfunduar, pastaj është procesi i kalimit nëpër pozita dhe më pas të kalohet në konkurs të jashtëm, dhe këtë rast një gjë e tillë nuk është dëshmuar, rrjedhimisht nuk është dashtë as me kalu në konkurs të jashtëm”, ka thënë Arbëresha Loxha.
E reagime të njëjta nuk kanë munguar as nga Shoqata Sindikale e Anëtarëve të Shërbimit të Jashtëm, duke e konsideruar të jashtëligjshëm.
Procedura për plotësimin e këtyre pozitave me zyrtarë në ambasada ka nisur pas disa shkarkimeve nga Ministrja Donika Gërvalla.