Çfarë është ankthi, dhe si dallon prej stresit?!

Çrregullimet e ankthit janë në rritje e sipër, dhe së shpejti do të bëhen një nga çrregullimet që cenojnë funksionalitetin e njeriut në masën më të madhe, jo vetëm në fushën mendore, por edhe atë fizike. Psikoterapisti e cilësoi stresin si një reagim të organizmit ndaj faktorit të jashtëm ose të brendshëm që paraqet rrezik për mbijetesën

Vigan Behluli, specialisti i psikologjisë klinike dhe Xheneta Asllani, moderatore

Të gjithë kemi pasur eksperienca me stresin në situata të ndryshme dhe periudha të ndryshme të jetës, megjithatë ankthi është një çrregullim më i rëndë që dallon prej stresit.

Çrregullimet e ankthit janë në rritje e sipër, dhe së shpejti do të bëhen një nga çrregullimet që cenojnë funksionalitetin e njeriut në masën më të madhe, jo vetëm në fushën mendore, por edhe atë fizike.

Kështu tha specialisti i psikologjisë klinike, Vigan Behluli i ftuar në emisionin “Jeto” me Xheneta Asllanin në Radio Dukagjini.

Psikoterapisti e cilësoi stresin si një reagim të organizmit ndaj faktorit të jashtëm ose të brendshëm që paraqet rrezik për mbijetesën. Stresi na mundëson të reagojmë në mënyrë adekuate ndaj këtyre faktorëve, në mënyrë që mos t’i ekspozohemi atyre.

Nëse stresi vazhdon edhe pasi faktorët që e krijojnë të largohen, atëherë vuajmë nga ankthi. Sipas Behlulit ankthi është një frikë iracionale, që na shtyen të kemi reagime joproporcionale me situateën të cilën po e përballojmë. Simptoma të ankthit janë të rrahurat e shtuara të zemrës, dridhja, vështirësitë në frymëmarrje, ngushtim i kanaleve të frymëmarrjes e djersitja ndër të tjera, të cilat janë të dukshme dhe përshkruhen si simptoma kryesore që e pasqyrojnë ankthin.

Faktorët që dërgojnë deri tek ankthi sipas psikoterapistit janë mendimet fikse për çështje që na brengosin. Kjo na bën të kemi një gjendje emocionale të humbjes së shpresës dhe fuqisë, ku truri e kurthon vetën, e provokon ndjenjën e frikës dhe mobilizohet ta luftojë një agresor të padukshëm dhe joekzistent. Pra instikti i mbijetesës që na ka ndihmuar gjithmonë, beson se është ende duke na ndihmuar duke luftuar një armik që nuk ekziston.

Behluli thekson se trajtimi më i mirë i këtij çrregullimi mendor është parandalimi, duke shtuar se është shumë e rëndësishme që të investohet në higjienën e shëndetit mendor për të parandaluar arritjen në ankth.