Qindra protestues që u mblodhën kundër vendimit të Kremlinit, janë arrestuar nga policia ruse.
Kjo pas thirrjes së presidentit të Rusisë, Vladimir Putin, i cili ka bërë thirrje për një mobilizim të pjesshëm për fushatën ushtarake të vendit në Ukrainë.
Siç vlerëson grupi rus i të drejtave të njeriut OVD-Ino, më shumë se një mijë e 300 persona janë arrestuar, shkruan BBC.
Numri më i madh i të arrestuarve ishte në Shën Petersburg dhe në Moskë.
Ndërkaq, tubimet e paparalajmëruara, në Rusi janë të paligjshme.
Zyra e prokurorit të Moskës të mërkurën kishte paralajmëruar se thirrjet në internet për t’iu bashkuar protestave të paautorizuara dhe pjesëmarrja në to, mund të sjellë deri në 15 vjet burg.
Pas thirrjes së presidentit të Rusisë, Vladimir Putin, për një mobilizim të pjesshëm për fushatën ushtarake të vendit në Ukrainë, në Rusi tashmë biletat për largim nga vendi me aeroplan janë duke u shitur në masë të madhe.
Gjatë një fjalimi të tij, Putin ka deklaruar se dekreti tashmë është nënshkruar dhe që nga e mërkura e 21 shtatorit, do të nisë mobilizimi i pjesshëm i rezervistëve ushtarakë.
Sipas tij, të gjithë qytetarët që do të mobilizohen, do të kenë statusin e plotë të focave të armatosura.
Pas këtij njoftimi, biletat e aeroplanit po shiten në mënyrë të shpejtë, ndërsa çmimet janë rritur shumë.
Fluturimet drejt vendeve që lejojnë rusët të hyjnë pa viza, duke përfshirë Turqinë, Armeninë, Gjeorgjinë dhe Serbinë, janë shumë të kërkuara.
Ndërkohë, sipas Reuters, të dhënat e Google Trends tregojnë një rritje të kërkimeve për Aviasales, faqe kjo e njohur për rezervime të fluturimeve në Rusi.
Ndërsa, biletat e fluturimeve direkte nga Moska në Turqi dhe Armeni, destinacione këto që lejojnë rusët të hyjnë pa viza, janë shitur të mërkurën e 21 shtatorit.
Linja ajrore shtetërore ruse, Aeroflot, sipas faqes së saj të internetit nuk ka më fluturime për në Stamboll nga moska për tri ditët e ardhshme.
Ndërkaq, bileta më e lirë nga Rusia për në Dubai është rreth pesë mijë dollarë, ku në një situatë normale, bileta pothuajse është trefish më e lirë.
Ndryshe, pas fjalimit të presidentit rus, ministri rus i Mbrojtjes, Sergei Shoigu, ka thënë se 300 mijë rusë do të thirren si pjesë e mobilizimit.
Ai ka thënë se vetëm rusët me përvojë të mërparshme ushtarake do t’i nënshtrohen mobilizimit.
Pos kësaj, Putin gjatë fjalimit të tij e ka akuzuar Perëndimin se po e shantazhon Rusinë.
Megjithatë, ai për këtë pati një përgjigje duke thënë se Rusia ka shumë armë me të cilat do të kundërpërgjigjet.
“Nëse integriteti territorial i shtetit tonë kërcënohet, për të mbrojtur Rusinë dhe njerëzit tanë, ne do të përdorim të gjitha resurset që kemi. Nuk është një blof. Integriteti territorial i mëmëdheut tonë, pavarësinë dhe liria do të sigurohen, e përsëris, me të gjitha mjetet që kemi. Ata që tentojnë të na shantazhojnë me armë nukleare, duhet ta dinë se erërat mbizotëruese mund të kthehen në drejtimin e tyre”, ka thënë Putin.
Po ashtu, ai tha se qëllimi i tyre është çlirimi i Donbasit, derisa shtoi se do t’u japë status ligjor vullnetarëve që luftojnë në Donbas.