Ministri i Punëve të Jashtme i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, është takuar me të dërguarin e posaçëm për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, në margjinat e Seancës së 77-të të Asamblesë së Përgjithshme të Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB).
Sipas Ministrisë së Punëve të Jashtme(MPJ) të Maqedonisë së Veriut, Dialogu Strategjik në mes të Maqedonisë së Veriut dhe Shteteve të Bashkuara tashmë po jep rezultatet fillestare në formën e granteve amerikane, që synojnë forcimin e sundimit të ligjit, kulturën dhe mbrojtjen.
“Ne jemi të përkushtuar që të përcaktojmë aktivitetet e ardhshme që dalin nga Dialogu Strategjik dhe synojnë forcimin e proceseve reformuese dhe garantimin e progresit dhe prosperitetit demokratik të vendit. Ne jemi mirënjohës për mbështetjen e vazhdueshme amerikane ndër vite, me theks të veçantë në procesin tonë të integrimit evropian, si veçanërisht i rëndësishëm për stabilitetin e përgjithshëm rajonal”, ka deklaruar Osmani.
“Ky zhvillim i bashkëpunimit është një tjetër konfirmim i aleancës shumëvjeçare dhe partneritetit të fortë strategjik mes dy vendeve”, ka shtuar ai.
Më tej, bëhet e ditur se në takimin në mes të dyja vendeve është folur edhe për mbështetjen për Ukrainën.