“Albin Kurti nuk duhet të luajë rolin e të fortit në raport me sindikatën”.
Kështu ka deklaruar deputeti nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Enver Hoxhaj, në seancën e 22 shtatorit në Kuvendin e Kosovës, ku po debatohet për grevat.
Hoxhaj në lidhje me moskompromisin në mes të qeverisë dhe SBAShK-ut ka thënë se kryeministri Kurti ka nevojë të kuptojë në thelb se si duket procesi demokratik, prandaj “dialogu është platformë për të arritur deri te e vërteta”.
Sipas Hoxhajt, e vërteta në demokraci është kompromisi dhe nuk duhet të ketë qasje të politikës së nënshtrimit që sipas tij po e ushtron kryeministri Kurti.
“Nëse nuk ka dialog social, por vetëm të pranojnë politikat e tua është politikë e nënshtrimit”
Ai ka thënë se nga kjo grevë më së shumti po pësojnë nxënësit.
“22 ditë humbje të mësimit, nuk jemi sindikatë e sindikatës, jemi edhe prindër e dimë se sa e dëmshme është humbja e këtyre 4 javëve të para të vitit shkollor”.
Hoxhaj, ndër të tjera, ka thënë se po përfaqësojnë opozitën dhe jo sindikalistët e sindikatave.
“Qeveria të ulet dhe të bisedojnë me mësimdhënësit, sepse ne nuk jemi këtu as për një grusht të votave as për të qenë sindikalistë të sindikatave, por jemi në një situatë alarmante”.
Sipas tij, duhet t’u ruhet dinjiteti nxënësve dhe mësuesëve, pasi, siç thotë ai, Kurti gjithmonë ka thënë se prioritet është arsimi.
“Mbi të gjitha në bazë të prioriteve që ka sjellë, mendoj që është e arsyeshme që të adresohen këto probleme”.
Hoxhaj ka thënë se nuk e kupton këtë hezitim të shefit të ekzekutivit për një kompromis.
“Të kemi zgjidhje kalimtare, nuk po marr vesh këtë hezitim”, derisa ka shtuar “e marr vesh vetëm në një dimension nëse të vërtetat që jeton kryeministri, atëherë duhet as të mos shkojmë në shkolla e universitete”.
“Sindikatat kanë të drejtë, Qeveria jo”
Në anën tjetër, edhe deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Pal Lekaj, teksa ka bërë thirrje drejt Qeverisë për zgjidhjen e këtij problemi, u ka dhënë të drejtë sindikatave.
Gjatë fjalimit të tij në seancën e Kuvendit të Kosovës ku po diskutohet për grevën në arsim, Lekaj ka theksuar se dëmi po u shkaktohet fëmijëve, mësimdhënësve, prindërve dhe gjithë shoqërisë.
“Sindikatat kanë të drejtë dhe Qeveria jo, sepse jemi në demokraci dhe jo sistem tjetër ku pushteti sundon egër dhe qeveris si të dojë”, ka thënë Lekaj, teksa shtoi se “Është koha që qeveria të bëjë zgjidhje, prandaj ju bëj thirrje që t’i plotësoni kërkesat e sindikatave dhe shteti të kthehet në normalitet”.
“Sot është 22 shtatori kur asgjë nuk ka lëvizur. Janë dy cështje përballë njëra-tjetrës, në njërën anë e kemi një grevë të të gjitha sindikatave, dhe një qeveri që nuk preukupohet për të dhënë alternativa dhe për të zgjedhur këtë ngërç”.
Ai ka theksuar se nuk është momenti që SBASHK-u dhe sindikatat e tjera të goditen në forma të ndryshme, derisa u bëri thirrje qeverisë dhe deputetëve që t’i ulin tensionet, t’i ndalin fyerjet dhe neglizhencat ndaj tyre.
Lekaj ka potencuar se kjo po dëmton demokracinë, nuk po lë hapësirë për rrugëzgjidhje mes dy palëve dhe po krijon pasoja për të ardhmen.
“Qeveria dhe të gjithë ne duhet të kuptojmë që shteti po pëson nga ky ngërç dhe barrën e përgjegjësisë e ka Qeveria si institucioni më i lartë vendimmarrës në Kosovë. Nuk kemi kohë për të humbur. Duke pësuar janë nxënësit, mësimdhënësit, prindërit, të gjithë qytetarët”, është shprehur Lekaj.