Ish-presidenti i Kosovës, Behgjet Pacolli, ka bërë të ditur se nuk i është dërguar ftesë presidentes së tanishme, Vjosa Osmani, për t’i vizituar ish-krerët e UÇK-së, që gjenden në paraburgim në Hagë.
Pacolli ka thënë për euronews se, arsyeja e mosftesës së saj, ka qenë se e dinte se ajo nuk do ta pranonte.
“Në Kosovë kemi ftuar edhe ish-presidentin Fatmir Sejdiu, ish-presidenten Jahjaga, të cilët për arsyet e tyre nuk i janë përgjigjur kësaj ftese. Ka mbetur që vizitën ta bëj unë me ish-presidentët dhe ish-kryeministrin e Shqipërisë. Jo, ajo nuk ka pasur ftesë për arsye se ne e kemi ditur se një vizitë e tillë do të refuzohej nga zonja presidente Osmani”, theksoi ai.
Më 29 shtator, 3 ish-presidentët e Shqipërisë dhe ish-kryeministri Pandeli Majko do t’i vizitojnë ish-krerët e UÇK-së në Hagë. Iniciativa është ndërmarrë nga ish-presidenti i Kosovës, Behgjet Pacolli, i cili do të jetë pjesë e kësaj vizite.