Në një raport të medias shtetërore të enjten, një zyrtar i mbrojtjes i paidentifikuar i Koresë së Veriut i tha SHBA-së që të ndalonte së bëri “deklarata të pamatura” dhe “të mbajë gojën mbyllur”.
Zyrtarët e administratës Biden në fillim të këtij muaji konfirmuan një vlerësim të deklasifikuar të inteligjencës amerikane se Rusia ishte në procesin e blerjes së armëve nga Koreja e Veriut, duke përfshirë miliona predha dhe raketa, ndërsa Moska përpiqet të lehtësojë mungesat e rënda të furnizimit në Ukrainë, të përkeqësuara nga sanksionet dhe nga kontrollet e eksportit të udhëhequra nga SHBA-të.
Deklarata e Koresë së Veriut erdhi disa javë pasi Moska e përshkroi zbulimin e inteligjencës amerikane si “të rreme”.
Eksportet e armëve të Koresë së Veriut në Rusi do të shkelinin rezolutat e Kombeve të Bashkuara që ndalojnë vendin të importojë ose eksportojë armë.
Zyrtari i Koresë së Veriut theksoi se Pyongyang-u kurrë nuk i ka njohur sanksionet “të paligjshme” të Këshillit të Sigurimit të OKB-së kundër vendit “të gatuara nga SHBA-ja dhe forcat e saj vasale”. Zyrtari tha se eksporti dhe importi i pajisjeve ushtarake është një “e drejtë e ligjshme për një shtet sovran”, sipas një përkthimi në anglisht të deklaratës të publikuar nga Agjencia Qendrore e Lajmeve të Koresë së Veriut, raporton ABCNews.
“Por ne shfrytëzojmë këtë mundësi për të sqaruar një gjë. Ne kurrë nuk kemi eksportuar armë apo municion në Rusi më parë dhe nuk do të planifikojmë t’i eksportojmë ato”, tha zyrtari, i cili u përshkrua si zëvendësdrejtor i përgjithshëm i zyrës së përgjithshme të pajisjeve të Ministrisë së Mbrojtjes Kombëtare.
“Nuk është e sigurt se nga e kanë origjinën thashethemet që po përhapin SHBA-të, por synojnë të njollosin imazhin e RPDK-së”, tha zyrtari, duke iu referuar emrit zyrtar të vendit, Republika Popullore Demokratike e Koresë.
Duke u përballur me sanksionet dhe kontrollet e eksportit, Rusia në gusht bleu drone të prodhuar nga Irani për të cilët zyrtarët amerikanë thanë se kishin probleme teknike. Ekspertët thonë se Koreja e Veriut, nëse dëshiron, mund të bëhet një burim kryesor i armëve të vogla dhe municioneve të tjera për Rusinë, duke marrë parasysh pajtueshmërinë e sistemeve të tyre të mbrojtjes bazuar në rrënjët sovjetike.
Koreja e Veriut ka kërkuar të forcojë marrëdhëniet me Rusinë edhe pse shumica e Evropës dhe Perëndimit janë tërhequr, duke fajësuar SHBA-në për krizën dhe duke dënuar “politikën hegjemoniste(dominante)” të Perëndimit si justifikim i veprimit ushtarak të Rusisë në Ukrainë për të mbrojtur veten.
Qeveria e Koresë së Veriut madje ka lënë të kuptohet se është e interesuar të dërgojë punëtorë ndërtimi për të ndihmuar në rindërtimin e rajoneve proruse në lindje të Ukrainës. Në korrik, Koreja e Veriut u bë i vetmi komb përveç Rusisë dhe Sirisë që njohu pavarësinë e territoreve, Donetsk dhe Luhansk.
Koreja e Veriut gjithashtu e ka përdorur luftën si një dritare për të përshpejtuar zhvillimin e saj të armëve, duke testuar dhjetëra armë, përfshirë raketat e saj të para me rreze të gjatë që nga viti 2017, duke shfrytëzuar një ndarje në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, ku Rusia dhe Kina kanë bllokuar përpjekjet e SHBA-së për të shtrënguar sanksionet ndaj kryeqytetit Pyongyang.
Veriu e ka shoqëruar aktivitetin e tij testues me kërcënime të përsëritura për konflikt bërthamor me Seoul-in dhe Washington-in. I fundit ishte një ligj i miratuar nga parlamenti i Pyongyang-ut këtë muaj, i cili përforcoi më tej statusin e vendit si fuqi bërthamore dhe autorizoi përdorimin parandalues të armëve bërthamore në një gamë të gjerë skenarësh ku udhëheqja e tij kërcënohet.
Sung Kim, përfaqësuesi special i administratës së Bidenit për Korenë e Veriut, u takua me homologun e Koresë së Jugut, Kim Gunn në Seul të enjten, ku ata shprehën “shqetësim serioz” mbi doktrinën bërthamore të Veriut të përcaktuar në ligjin e ri, tha Ministria e Jashtme e Koresë së Jugut.
Diplomatët riafirmuan angazhimin e SHBA-së për të mbrojtur Korenë e Jugut në rast të një lufte bërthamore me gamën e plotë të aftësive të saj ushtarake, përfshirë ato bërthamore. Aleatët gjithashtu mbajtën vlerësimin e tyre mujor se Koreja e Veriut po përgatitet për të kryer testin e saj të parë bërthamor që nga viti 2017 dhe diskutuan kundërmasat “të rrepta” ndaj një veprimi të tillë, tha ministria.