Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e ka publikuar një foto ku shihet bashkë me Presidentin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden.
Osmani nuk ka dhënë detaje të tjera, por vetëm ka shkruar “miqësi e përhershme dhe partneritet i palëkundur me SHBA-të”.
Po ashtu, gjatë vizitës së saj në ShBA, presidentja Osmani është takuar edhe me sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg.
Osmani ka theksuar se qëllimi strategjik i Kosovës mbetet anëtarësimi në komunitetin euroatlantik.
Sipas saj, këtij hapi duhet t’i paraprijë përfshirja e Kosovës në Partneritetin për Paqe.
“Osmani në takim me shefin e NATO-s, tha se anëtarësimi në Bashkimin Evropian dhe NATO do të kontribuojë në rritjen e sigurisë dhe stabilitetit në rajon dhe e cilësoi anëtarësimin në këtë organizatë, prioritet shtetëror të Kosovës, si një parakusht për sigurimin e paqes në rajon, ashtu edhe për promovimin dhe mbrojtjen e vlerave të përbashkëta”, thuhet në njoftimin e zyrës së presidentes.
Në këtë kontekst, Osmani ka përmendur faktin se Forca e Sigurisë së Kosovës, e cila po zhvillohet në përputhje me standardet e NATO-s, do t’ia mundësojë Kosovës një rol aktiv në kuadër të sigurisë rajonale dhe globale.
Po ashtu, ajo ka potencuar se Kosova është mirënjohëse për mbështetjen e vazhdueshme të NATO-s në ruajtjen e stabilitetit dhe paqes.
Sa i përket agresionit të Rusisë në Ukrainë, Osmani ka thënë se Kosova ka dënuar luftën e paprovokuar të Putinit kundër Ukrainës dhe se është plotësisht në linjë me sanksionet e BE-së dhe SHBA-së kundër Rusisë.