Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka folur në lidhje me Samitin Digjital për Ballkanin Perëndimor, i cili është zhvilluar për herë të parë në Kosovë.
Kurti bëri të ditur se në bashkëpunim me Bashkimin Evropian, janë duke u trajnuar mbi tre mijë të rinj në fushata të ndryshme të Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit (TIK).
Po ashtu, ai ka njoftuar se këtë vit Qeveria e Kosovës ka ndarë mbi 900 kuponë për maturantë të shkollave profesionale, për të ndjekur kurse të TIK-ut.
“Zhvillimi i kapaciteteve njerëzore për nevojat e industrisë së TIK-ut është mundësia kryesore për çlirimin e potencialit të rritjes së sektorit të TIK-ut në Kosovë. Në bashkëpunim me BE-në dhe Bankën Botërore janë duke u trajnuar mbi 3.500 të rinj në fusha të ndryshme të TIK. Këtë vit kemi ndarë 957 kuponë për maturantë të shkollave profesionale për të ndjekur kurse të Teknologjisë së Informacionit dhe Kompjuterikes dhe 1356 bursa universitare për vajza në fushën e STEM”, ka shkruar Kurti.
Kryeministri i Kosovës është shprehur se rinia e Kosovës është potencial i madh për transformim digjital në vend.
“Rinia jonë e aftë në teknologji dhe shpirti sipërmarrës i të rinjve tonë, është potenciali i madh kombëtar për transformimin digjital. Me këtë synojmë avancimin e administratës publike, sistemit arsimor, sektorit të shëndetësisë, sistemit të drejtësisë dhe të gjitha fushave të tjera të qeverisjes”, ka theksuar Kurti.
Po ashtu, Kurti foli edhe për Ligjin për Siguri Kibernetike, i cili u aprovua nga Qeveria e Kosovës javën e kaluar.
Sipas tij, ky ligj do të kontribuojë në rritjen e sigurisë kibernetike në vend.
“Javën e kaluar në Qeveri e aprovuam Ligjin për Siguri Kibernetike, që themelon Agjencinë për Siguri Kibernetike, si institucion kyç përgjegjës për caktimin dhe zbatimin e masave për siguri kibernetike në Republikën e Kosovës. Kjo agjenci do të kontribuojë në rritjen e kapaciteteve nacionale në fushën e sigurisë kibernetike. Këtë javë bëmë lansimin e Sistemit Nacional për Monitorim të Spektrit Frekuencor që ka implikim direkt në sigurinë kibernetike të vendit tonë”, ka thënë ai.
Kryeministri i Kosovës i ka listuar shërbimet digjitale të cilat i ofron portali eKosova.
“Në kuadër të zhvillimit të e-Qeverisjes, disa nga shërbimet e digjitalizuara që janë lansuar në portalin eKosova përfshijnë: pagesat elektronike për shërbime qeveritare, certifikatat online të gjendjes civile, vazhdimin e regjistrimit të veturës për qytetarë dhe biznese, shërbimet online për aplikim për shtesa për fëmijë e lehona, si dhe një sërë shërbimesh të Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit”, ka shkruar Kurti.
Në fund, Kurti ka bërë të ditur se qeveria është duke i bërë hapat e parë drejt hapjes së dyerve për pilotimin dhe zbatimin e rrjeteve 5G.