Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, e ka kritikuar Qeverinë e Kosovës për paaftësi në lidhje me menaxhimin e krizës ekonomike.
Ajo ka thënë se “buxheti i pashpenzuar i qeverisë është paaftësi”. Deputetja e LDK-së, e ka kritikuar qeverinë edhe për mënyrën se si i ka shpërndarë pakot ekonomike, të cilat sipas saj, janë bërë pa kriter.
“Nuk ka kurrfarë logjike, nuk ka logjikë që pako të tilla po shpërndahen pa pikë kriteri”, ka thënë ajo.
Tutje, Bajrami ka thënë se partia e saj LDK, ka propozuar që të hiqet akciza dhe TVSH-ja, për disa produkte, por meqenëse, sipas saj, kjo nuk ka ndodhur, duhet të bëhet indeksimi i pagave për shkak të inflacionin të madh.
“Në kohën kur LDK e ka propozuar heqjen e akcizës dhe TVSH-së, nuk e ka kërkuar në të njëjtën kohë indeksimin e pagave. Meqenëse, nuk është hequr akciza dhe TVSH-ja, kërkojmë indeksimin e pagave”, ka thënë ajo.
Bajrami ka theksuar se shpërndarja e 100 eurove për qytetarët ka qenë vendim i gabuar. Sipas saj, më mirë do të kishte qenë që shuma milionëshe të shpërndahej në sektorë që kanë nevojë dhe potencial, siç është ai i IT-së.