Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka njoftuar se kanë arrestuar dy persona në lidhje me rastin sekuestrim të 400 kilogramëve substancë narkotike të llojit kokainë të premten e 23 shtatorit në Prishtinë.
PSRK ka bastisur dy lokacione sipas urdhrit të Departamentit Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë, me ç’rast, përveç sigurimit të provave materiale, ka arrestuar dhe ndaluar dy persona.
Të arrestuarit me inicialet H.SH dhe N.M janë shtetas të Kosovës të cilët akuzohen për organizim dhe pjesëmarrje në grup kriminal.
“Pjesëmarrja dhe organizimi i grupit kriminal të organizuar lidhur me veprën penale blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge, si dhe për veprat penale të kryera në bashkëkryerje, pengimi i të provuarit apo procedurës zyrtare dhe frikësimi gjatë procedurës penale”, shkruhet në komunikatën për media.
Ndërkaq Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës do të vazhdojë procedurat e tjera ligjore në lidhje me rastin.