Mos evidentimi i krimeve të luftës të kryera nga Serbia në Kosovë, është çështje problematike pasi shumë lehtë e vërteta mund të harrohet dhe pikërisht për këtë Serbia sot luan rolin e viktimës. Kështu ka thënë Nora Visoka Weller, avokate dhe ligjëruese në Selwyn College – Cambridge, gjatë intervistës në emisionin “Magazina” me Lirik Sylmetaj dhe Blerina Neziri – Abazi, në Radio Dukagjini.
“Problemi është se pasluftës në Kosovë nuk është bërë dokumentim i mjaftueshëm i vrasjes së njerëzve dhe shkatërrimit të trashëgimisë kulturore. Nëse nuk ekziston dokumentimi i mirëfilltë, atëherë e vërteta humb, ngadalë, ngadalë me kohë sepse dëshmitarët plaken, vdesin siç ka ndodhur edhe në vendin tonë. Dhe sa më shumë vite që kalojnë, kjo i jep hapësirë Serbisë të luaj rolin e viktimës”.
E pyetur se a po trajtohet në mënyrë adekuate çështja e të pagjeturve në bisedimet Prishtinë – Beograd, të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian, Visoka-Weller tha se në këtë drejtim nuk është bërë asgjë, pikërisht se kjo çështje është shumë e politizuar.
“Ka qenë në interesin e faktorit ndërkombëtar, ndërmjetësuesit të bisedimeve që negociatat me Serbinë të vazhdojnë me çështje teknike dhe të mos hyjnë në tema të thella që mund të komplikohet zgjidhja e menjëhershme. Fatkeqësisht të gjithë ata njerëz që janë përdhunuar e vrarë në Kosovë, janë thuajse pjesë e një historie të harruar dhe për këtë jemi pëgjegjës vet ne”
Visoka-Weller, eksperte në nivel botëror për trashëgimi kulturore dhe arkeologji të shteteve në konflikt, ka folur edhe për Vendimin e Gjykatës Kushtetuese për Manastirin e Deçanit, për të cilin tha se është shumë lehtë e zgjidhshme. Ajo thotë se nevojitet një dialog i sinqertë dhe sipas saj, hapin e parë për këtë duhet ta bëjë Kisha Ortodokse serbe dhe komuniteti monastik.
Nora Visoka Weller, punuese e disa hulumtimeve shkencore që prekin pikërisht çështje të ndjeshme të popullit të Kosovës, tha se Kosova ka nevojë të edukojë gjenerata të reja të arkeologëve për ruajtjen e trashëgimisë kulturore.
Nora Visoka Weller është avokate në Universitetin e Cambridge. Aty e ka përfunduar Juridikun dhe Arkeologjinë, ku ka specializuar në Mbrojtjen e Trashegimisë Kulturore dhe të Luftës. Ajo është gruaja e parë nga Kosova brenda shoqërisë mbretërore të arteve në Britani.
Më parë, ishte hulumtuese në Qendrën Ndërkombëtare për Drejtësi Tranzicionale, në Afrikën e Jugut. Ajo shërbeu gjithashtu si këshilltare e Kombeve të Bashkuara mbi Kontrollin e Armëve dhe zhvillimin shoqëror në vendet e pas-konfliktit në Shqipëri, Qipro, Lindjen e Mesme dhe disa pjesë të Afrikës Jugore.
Nora mori vlerësime nga Departamenti Amerikan i Shtetit dhe Kombet e Bashkuara për kontributin e saj në parandalimin e konfliktit gjatë luftës në Kosovë. Ajo është nominuar për çmimin prestigjioz “Gruaja më frymëzuese 2017″ nga “Global Women’s Network London”.