Nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, Enver Hoxhaj përmes një postimi në Facebook ka thënë që greva në arsim është një humbje e madhe me pasoja shumëdimensionale duke përmendur ditët e mësimit që nxënësit kanë humbur dhe orët e punës për mësimdhënësit.
“Sot u bënë katër javë që kur 320 mijë nxënës dhe 23 mijë mësimdhënës kanë humbur 23 ditë mësimi nga 185 ditë të vitit shkollor! Deri më sot janë humbur mbi 2.100.000 orë pune për mësimdhënësit e orë mësimi për nxënës”, ka shkruar Hoxhaj.
Ditët e humbura sipas tij janë një humbje e madhe me pasoja shumëdimesionale për shoqërinë dhe performancën pedagogjike të nxënësve, duke shtuar se aryseja e vetme është mungesa e një vullneti politik qeveritar për të ofruar një zgjidhje për mësimdhënësit.
Hoxhaj ka theksuar faktin që PDK ka ftuar një debat parlamentar në Kuvend për të rikthyer nxënësit në mësim dhe për ndërprerjen e grevës, duke mbështetur një zgjidhje e cila është kalimtare. Por, rezoluta e prezantuar dhe zgjidhja e sygjeruar nuk ishte pranuar nga shumica në Kuvend dhe kjo jo për shkak të fuqisë së argumentit, por si refleks i nevojës për të nxjerrë jashtë inatin, të cilin e kanë brenda.
Ndër të tjera nënkryetari i Kuvendit të Kosovës ka shkruar se është jetike që të ndalet fushata e egër dhe e strukturuar e denigrimit të figurës dhe personalitetit të mësimdhënësit, të cilët po akuzohen dhe po fyhen në mënyrën më të ulët që ka përjetuar ndonjëherë mësimdhënësi shqiptar në Kosovë.