“Fëmijët në shkolla” është instalacioni simbolik i paraqitur në sheshin “Skënderbeu” nga Koalicioni i OJQ–ve për Mbrojtjen e Fëmijëve në Kosovë, KOMF, instalacion ky që simbolizon të drejtat e fëmijëve në mësim.
Të shtunën e 24 shtatorit, përmes aksionit të KOMF, janë prezantuar të dhëna, njëherësh edhe fakte rreth dëmeve që ndërprerja e mësimit ka shkaktuar te fëmijët. Më shumë se 300 mijë nxënës nga të gjitha komunat e Kosovës kanë mbetur në shtëpi për shkak të vendimit për mosmbajtjen e mësimit nga mësimdhënësit deri në plotësimin e kushteve që ata kërkojnë nga Qeveria e Kosovës.
“Deri tani, rreth 12 për qind e planprogramit kurrikular është humbur”, “deri tani, 17 ditë dhe 4.208 orë mësimi të humbura”, janë disa nga mbishkrimet e ngjitura në karriget e vendosura krahas bankave dhe çantave në shesh.
Njëra ndër kushtet e kërkuara është 100 euro shtesë në paga deri në miratimin e Ligjit për Paga. Ndërkaq, greva vazhdon të jetë prezente që nga 25 gushti.