Ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka thënë se Qeveria, përveç që nuk i zbaton projektet e veta kapitale, i ka penguar edhe komunat në dy mënyra.
Sipas Hotit, kërkesat e komunave për bartje dhe ridestinim të mjeteve vetanake kanë pritur me muaj për miratim nga ministria e Financave, duke humbur muajt e verës kur është koha optimale për kryerjen e projekteve kapitale.
“Kur janë miratuar kërkesat, është bërë tepër vonë për të kryer procedurat e prokurimit dhe zbatuar ato projekte brenda vitit. Sipas ligjit, është e drejtë ekskluzive e komunave për të vendosur se për çfarë do t’i përdorin të hyrat vetanake. Kërkesat për bartje të të hyrave vetanake miratohen sipas procedurave formale ligjore dhe nuk i nënshtrohen diskrecionit të Ministrit të Financave”, thotë ish-kryeministri i Kosovës.
Avdullah Hoti ka shtuar se Qeveria e ka mbajtur të bllokuar shumë gjatë Organin Shqyrtues të Prokurimit, duke bllokuar shumë projekte kapitale për të cilat ka pasur ankesa. Sipas tij, kjo e ka vonuar edhe më tutje zbatimin e projekteve kapitale qendrore dhe lokale.
Hoti ka thënë se shpenzimet kapitale të nivelit qendror janë në nivelin më të ulët historikisht prej 9 për qind.