Mëngjesin e të premtës, Mulla Rexhep Lushta zakonshëm ishte ftuar për të kryer procedurat fetare të një varrimi.
Por kur punonjësit e xhamisë kishin filluar të hapnin varrin, kishin hasur në diçka që atyre u duk e dyshimtë.
Në mesin e këtyre varrezave në fshatin Zabërgjë të Mitrovicës, janë gjetur eshtra që po pretendohet, të jenë të njeriut, e që dyshohet të jenë mbetje mortore nga lufta e fundit në Kosovë.
Një gjë të tillë e konfirmon edhe Lushta.
“Ne e kemi dërgu ekipën tonë për me hapë një varr atje, e kemi pas një rast vdekje, dhe e kemi dërgu ekipën tonë me e hapë një varr, ndërkohë duke hapë, e kanë gjetë atë kufomë, më tepër nuk di, e kemi lajmëru Bajram Qerkinin”, ka thënë Lushta.
E Bajram Qerkini nga shoqata “Zëri i Prindërve”, thotë se kishte njoftuar menjëherë organet kompetente.
“Në mëngjes i ka vdekë nëna Mulla Cenit, ai është i Zabërgjës, kanë shku me hapë varrin e nënës, ekipa të cilët janë të Mitrovicës, në vendin që kanë dashtë me hapë varrin kanë hasë në një batanije të mbështjellur, një kufomë. Më kanë thirrë, u kam thënë mos e prekni, hapne diku tjetër varrin deri sa të vijnë policia, policia lokale kanë shku, i kena thirrë qëndroret, edhe i kanë marrë eshtrat ashtu sic kanë qenë, të paprekura, i kanë dërgu në mjekësinë ligjore”, ka theksuar Qerkini.
Nga Komisioni qeveritar për të pagjeturit bëjnë të ditur se tashmë kanë nisur procedurat për identifikimin e eshtrave.
“Është vepruar menjëherë në kuptim të angazhimit institucional, në këtë rast kemi njoftuar sektorin e policisë për krime të luftës, të cilët përmes njësitit për persona të zhdukur, në kuadër të policisë dhe njësiteve tjera relevante, me përkrahjen e antropologut mjekoligjor, kanë qenë në vendngjarje dje, dhe i kanë tërhequr eshtrat në fjalë”, është shprehur Kushtrim Gara nga Komisioni Qeveritar për të Pagjeturit.
Njoftimin për gjetjen e eshtrave e ka bërë Policia e Kosovës.
Ndërsa Komisioni Qeveritar për të pagjetur u ka bërë thirrje qytetarëve që të njoftojnë që nëse hasin në eshtra të dyshimta.