Të paaftë dhe pa ide për të qeverisur me vendin, kështu e ka cilësuar Qeverinë e Kosovës, sekretari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bernard Nikaj.
Ai, në një konferencë për media, e ka quajtur veprim popullist vendimin e Qeverisë për ndarjen e 100 eurove, kategorive të pensionistëve, studentëve dhe punëtorëve të sektorit publik dhe atij privat.
Sipas Nikajt, Qeveria Kurti po tenton t’i mashtrojë qytetarët e Kosovës.
“Krejt çfarë po bën Kryeministri Albin Kurti sot, është ajo që ai di ta bëjë më së miri, e që është popullzimi. Pasi ua rriti çmimin e energjisë elektrike me mbi 100% qytetarëve të Kosovës dhe pasi nuk po arrin të kontrollojë rritjen enorme të çmimeve të çdo produkti elementar të shportës familjare, qeveria e nisi sot ditën me një tentim për të mashtruar sërish qytetarët e Kosovës, përmes një lëmoshe as më shumë dhe as më pak se në vlerën 100 euro”, ka thënë ai.
Sekretari i PDK-së ka thënë se ndihmat janë të mirëseardhura, por, sipas tij, kjo nuk është e mjaftueshme për qytetarët, që t’i përballojnë çmimet e larta të produkteve të ndryshme.
“Kjo qeveri, që karakteristikë kryesore ka paaftësinë, nuk ka as planfikim, as vizion, as strategji dhe nuk ofron zhvillim. Të gjitha këto mundohet që t’i kompensojë përmes vendimeve te momentit e qe me shume ngjajnë në lëmoshë sesa ne veprime te menduara e afatgjate qe adresojnë nevojat e qytetarëve”, ka deklaruar Nikaj.
Po ashtu, Nikaj ka thënë se Qeveria e Kosovës ka mungesë të ideve dhe se deri tani nuk e ka nisur asnjë projekt për zhvillim ekonomik apo ndonjë investim kapital. Ai përsëriti se vendimi i fundit i kryeministrit është popullist e që sipas tij, ka për qëllim ndaljen e pakënaqësive të qytetarëve.
Sekretari i PDK-së ka kërkuar rritjen e pagës minimale si dhe miratimin e ligjit të pagave.