Të martën e 12 prillit, Prokuroria Speciale e Kosovës ka pranuar raportin nga Instituti i Mjekësisë Ligjore në Lozanë të Zvicrës, lidhur me rastin e Astrit Deharit, ku thuhet se në analizat e ADN-së nuk është gjetur prani e ndonjë profili tjetër përveç të të ndjerit.
Raporti i ekspertizës ëshë pranuar në gjuhën frënge, por më pas është dërguar për përkthim në gjuhën shqipe, ka njoftuar Prokuroria Speciale.
Gjithashtu, është bërë e ditur se raporti i ekspertizës në gjuhë frënge dhe gjuhë shqipe do t’iu dorëzohet familjes Dehari dhe përfaqësuesit ligjor të familjes.
Raporti i ekspertizës së Institutit të Mjekësisë Ligjore në Lozanë të Zvicrës për rastin e Astrit Deharit, konstaton se “Analizat e ADN-së, nga objektet që kanë qenë në kontakt me të ndjerin, Astrit Dehari, në momente të afërta me vdekjen (brosk rroje, stilolaps i lidhur me një lidhëse këpucësh dhe një pjesë metali, nuk kanë treguar profil të ADN-së përveç të atij, Astrit Deharit’’.
Analizat toksikologjike plotësuese të gjakut periferik të Deharit, ka dalë prani e kafeinës dhe mos prani e etanolit.
Sai përket ekshumimit të trupit të të ndjerit në raport thuhet se nuk ka rekomandim në ekspertizë dhe e njëjta nuk është rekomanduar që të ri ekzaminohet trupi duke pasur parasysh se sa kohë ka kaluar.
Bazuar në të gjeturat e këtij raporti, Prokuroria Speciale do të vazhdojë me hetimin e këtij rasti dhe do t’i ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme.
Për këtë çështje, ka reaguar avokati i familjes Dehari, Tomë Gashi duke thënë se nuk kanë pranuar ekspertizën nga Instituti i Mjekësisë Ligjore.
I pyetur nga Paparaci, rreth këtij raporti, ai ka deklaruar se prokurori duhet të tregoj se çfarë ADN-je ka dërguar për testim.
Teksa ka shtuar se është normale të mos gjendet një ADN tjetër, kur kjo e fundit nuk është marrë për testim nga personat tjerë në burg.
“Ne nuk kemi marrë ekspertizë, kur të marrim ekspertizën mundemi eventualisht me komentu nëse duhet. S’muj me komentu diçka që nuk kam marrë. Por, prokurori ka obligim me tregu çfarë ADN-je ka dërgu, se nëse ADN-ja nuk është marrë e personave në burg normal që nuk gjendet e dikujt tjetër’’, ka thënë Gashi.
Gjithashtu, Prokuroria Speciale siguron familjen Dehari dhe opinionin publik se në bazë të kompetencave dhe autorizimeve kushtetuese dhe ligjore do të zhvillojë hetime profesionale, deri në zbardhjen e plotë të këtij rasti.