Ministri i Jashtëm i Serbisë, Nikola Selakoviq, të dielën e 25 shtatorit u përpoq të minimizonte rëndësinë e një marrëveshjeje me Rusinë, pasi shteti ballkanik që kërkon anëtarësimin në Bashkimin Evropian u përball me kritika për nënshkrimin e saj.
Selakoviq nënshkroi marrëveshjen të premten e 23 shtatorit së bashku me ministrin e Jashtëm rus, Sergej Lavrov, në margjinat e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së në New York.
Marrëveshja e quajtur Plani i Konsultimeve, ka për qëllim të përcaktojë marrëdhëniet midis dy ministrive të Jashtme për 2023 dhe 2024.
Në një konferencë për shtyp të dielën e 25 shtatorit, Selakoviç ka thënë se marrëveshja është “teknike” dhe lidhet me lidhjet dypalëshe, por jo çështjet e sigurisë, njofton euronews.
“Serbia ka nënshkruar dokumente të ngjashme me Rusinë që nga viti 1996. Qeveria mund ta kishte refuzuar një plan të tillë, por nuk ka asgjë të diskutueshme në të. Po kritikohet nga ata që nuk e kanë parë”, ka shtuar ai.
Nënshkrimi i dokumentit në Nju Jork shënon marrëveshjen e parë të çdolloji që të dy vendet kanë nënshkruar që nga pushtimi i plotë i Ukrainës nga Moska në fund të shkurtit.
Ndërkaq, eurodeputetët e kritikojnë lëvizjen e Selakoviqit si “goditje serioze” në rrugën e Serbisë drejt BE.