Ministri i Mbrojtjes i Shqipërisë, Niko Peleshi, ka paralajmëruar se në bazë të parashikimeve të motit, pritet përkeqësimi i situatës atmosferike në Shqipëri, dhe si pasojë mund të ketë vërshime.
Peleshi këtë lajmërim e ka bërë duke u bazuar në të dhënat e IGJEUM-së dhe SHMU-së, por sipas tij, Ministria e Mbrojtjes dhe Agjencia e Mbrojtjes Civile u kanë bërë thirrje Komunave që t’i marrin masat e nevojshme për t’i eliminuar dëmet e mundshme nga kushtet atmosferike.
“Bazuar në të dhënat e IGJEUM dhe SHMU që parashikojnë përkeqësim të motit në ditët në vijim, Ministria e Mbrojtjes dhe Agjencia e Mbrojtjes Civile i bën thirrje pushtetit vendor të marrë masat e nevojshme për t’u paraprirë përmbytjeve apo rrëshqitjeve të dherave”, ka shkruar Peleshi në rrjetin e tij social.
Ai ka thënë se Ministria e Mbrojtjes është duke e mbikëqyrur situatën.
“Ne do të jemi në monitorim të vazhdueshëm të të gjitha situatave që mund të krijohen, duke garantuar ndihmë të menjëhershme në çdo rast emergjence”, ka thënë ai.