Partia e ekstremit të djathë, “Vëllezërit e Italisë”, lidere e së cilës është Giorgia Meloni, sipas raportimeve të para të Exit-Poll, ka fituar zgjedhjet e Italisë, të cilat janë mbajtur të dielën e 25 shtatorit.
Nëse të njëjtat sondazhe konfirmohen, atëherë Meloni do të formojë qeverinë, duke u bërë kështu kryeministrja e parë grua në vend, shkruan BBC.
Ajo parashikohet të fitojë midis 22-26% të votave, thotë një sondazh i Rai, përpara rivalit të saj më të afërt Enrico Letta nga qendra e majtë.
Koalicioni i krahut të djathtë ka fituar diku mes 41 e 45 për qind të votës së përgjithshme dhe aleanca e majtë mes 25 dhe 29 për qind.
Pjesëmarrja ishte rreth 64.7%, dramatikisht e ulët në kohën e mbylljes së votimeve, ka thënë ministria e brendshme e Italisë.
Vendimi se kush do të bëhet lideri i ardhshëm i Italisë varet nga presidenti, jo nga Giorgia Meloni dhe kjo do të marrë kohë.
Aleatët e saj, Matteo Salvini i Ligës së ekstremit të djathtë dhe Forza Italia e qendrës së djathtë të Silvio Berlusconit kanë pasur të dy lidhje të ngushta me Rusinë.