Shtatë raste të dhunës në familje janë raportuar në Policinë e Kosovës. Katër prej tyre sipas Raportit të Policisë, janë raportuar në rajonin e Prishtinës, respektivisht në Fushë- Kosovë, Laplesellë, Obiliq dhe në Prishtinë.
Në Fushë-Kosovë është arrestuar një grua e cila dyshohet se e ka kanosur me vrasje bashkëshortin e saj.
“Është arrestuar e dyshuara femër kosovare nën dyshimin se pas një mosmarrëveshjeje ka kanosur me vrasje viktimën mashkull kosovar, bashkëshortin e saj. Palët janë intervistuar dhe me vendim të prokurorit rasti në procedurë të rregullte”, thuhet në raport.
Në Laplesellë është arrestuar një burrë nën dyshimet se ka shkaktuar dhunë ndaj viktimës femër kosovare.
“I dyshuari mashkull kosovar është arrestuar pasi i njëjti ka shkaktuar dhunë në familje me ç’rast viktima femër kosovare ka pranuar tretman mjekësor. I dyshuari është intervistuar dhe me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje”, thuhet në raport.
Njëjtë edhe në Komunën e Obiliqit është arrestuar një burrë nën dyshimet se e ka sulmuar fizikisht bashkëshorten e tij.
“Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar pasi i njëjti pas një mosmarrëveshjeje e kishte sulmuar fizikisht viktimën femër kosovare, bashkëshorten e tij. Viktima ka pranuar tretman mjekësor. Palët janë intervistuar dhe me vendim të prokurorit rasti në procedurë të rregullt”, thuhet në raport.
Kurse në Prishtinë, nëna e ka raportuar djalin e saj në polici, i cili sipas saj, për shkak të disa borxheve, e ka demoluar shtëpinë e tij.
“Ankuesja femër kosovare ka raportuar se djali i saj i dyshuari mashkull kosovar si shkas i disa borgjeve të veta e ka demoluar shtëpinë dhe ka thyer disa gjëra të ndryshme shtëpiake. Palët janë intervistuar dhe me vendim të prokurorit rasti në procedurë të rregullte”, thuhet në raport.
Në Komunën e Prizrenit, pas një mosmarrëveshjeje, vëllai e ka sulmuar fizikisht motrën e tij, duke i shkaktuar lëndime trupore.
“Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar nën dyshimin se pas një mosmarrëveshjeje ka sulmuar fizikisht motrën e tij, viktimën femër kosovare, duke i shkaktuar lëndime të lehta trupore, për çka viktima ka pranuar tretman mjekësor. Me vendim të prokurorit të shtetit i dyshuari pas intervistimit është dërguar në mbajtje”, thuhet në raport.
Ndërkaq, në Malishevë, një burrë është arrestuar nën dyshimet se ka ushtruar dhunë fizike ndaj bashkëshortes së tij. Sipas policisë, i dyshuari ka probleme psikike dhe për këtë arsye është dërguar për tretman mjekësor në repartin e Psikiatrisë.
“Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar nën dyshimin se ka ushtruar dhunë fizike ndaj bashkëshortes së tij, viktimës femër kosovare. I dyshuari pasi ka probleme psikike, për shkak të gjendjes shëndetësore është dërguar për tretman mjekësor në repartin e Psikiatrisë ku edhe vazhdon të trajtohet. Viktima me dëshirën e saj është kthyer në shtëpi, rasti vazhdon të hetohet”, thuhet në raport
Në Komunën e Vushtrrisë, është arrestuar një burrë i cili dyshohet se në vazhdimësi ka ushtruar dhunë ndaj bashkëshortes së tij. Sipas policisë, pasi është intervistuar, viktima bashkë me fëmijët e saj është dërguar në strehimore.
“Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar nën dyshimin se në vazhdimësi ka ushtruar dhunë fizike e psikike ndaj bashkëshortes së tij, viktimës femër kosovare. Pas intervistimit, viktima së bashku me fëmijët e saj është dërguar në strehimore dhe ka kërkuar urdhër mbrojtës. Në lidhje me rastin është konsultuar prokurori, i cili ka rekomanduar që pas intervistimit i dyshuari të lirohet dhe rasti të procedohet në procedurë të rregullt”, thuhet në raportin e policisë.