Shkolla fillore dhe e mesme e ulët, “Hasan Prishtina” në Prishtinë, të martën e 27 shtatorit ka nisur procesin mësimor me orar të reduktuar, duke e ndërprerë kështu grevën e cila ka nisur pesë javë më parë.
Në këtë shkollë, të martën janë mbajtur tri orë mësimore të cilat kanë zgjatur nga 30 minuta.
Ky vendim është marrë pas takimit të Këshillit të Arsimtarëve dhe të Këshillit Grevist të Sindikatës së shkollës, ku është vendosur që të përkrahet greva, por edhe të fillojë procesi mësimor me orar të reduktuar.
“Në takimin e sotëm të Këshillit të Arsimtarëve dhe të Këshillit Grevist të Sindikatës së shkollës, pas diskutimeve u vendos që të përkrahet greva deri në realizimin e kërkesave, por edhe në anën tjetër nga nesër, më 27 shtator të fillojë procesi mësimor me orar të reduktuar të orëve mësimore në 30 minuta”, thuhej në njoftimin e kësaj shkolle.
Grevat e sindikatave kanë filluar që nga data 25 gusht e këtij viti dhe janë duke vazhduar ende. Kërkesë kryesore e tyre është shtesa prej 100 eurosh, deri në miratimin e Ligjit të Pagave, i cili tashmë është në konsultim publik.
Mësimdhënësit e institucioneve publike po vazhdojnë grevën, me kërkesën për mbështetje financiare prej 100 eurosh në muaj.
Ndonëse përjashtim kanë bërë vetëm disa mësimdhënës që individualisht kanë nisur t’i mbajnë orët mësimore, megjithatë, janë afro 300 mijë nxënës që nuk kanë nisur ende procesin mësimor i cili ishte paraparë të niste më një shtator.
Çka parasheh Projektligji për Pagat?
Ndryshe, Projektligji për Pagat në sektorin publik, të enjten e 15 shtatorit ka dalë në konsultim publik, teksa edhe janë bërë publike koeficientet.
Projektligji për Pagat ka për qëllim kryesor përcaktimin dhe rregullimin e sistemit të pagave dhe shpërblimeve për të gjithë të punësuarit që përfitojnë pagë nga buxheti i Kosovës.
Nga kjo kategori e cila mbulohet me këtë projektligj përjashtohet vetëm Agjencia Kosovare e Inteligjencës, për arsye se ka natyrë tejet specifike të punës.
Projektligji, përmes sistemit të pagave që synon të krijojë, do të rregullojë edhe mënyrën dhe kushtet e pagesës për kategoritë të cilat i rregullon.
Ky projektligj përjashton mundësitë që mënyra dhe kushtet për pagë dhe shpërblime të rregullohen me akte të tjera normative, përveç kur parashihet dhe autorizohet shprehimisht me këtë projektligj.
Fillimisht, Ministria e Punëve të Brendshme ka themeluar një grup punues i cili ka analizuar të gjitha mangësitë dhe anomalitë e ligjit të shfuqizuar, aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese, si dhe ka ofruar shembuj të praktikave të mira të cilat do të mund të shërbenin në hartim të këtij ligji.
Më pas, është themeluar grupi punues i projektligjit për paga, i cili ka bërë punën substanciale në ligj.
Përgjatë hartimit të Projektligjit janë ftuar dhe konsultuar të gjitha institucionet e administratës publike.
Një koeficient ka vlerën e 120 eurove, e cila për t’u llogaritur paga, duhet të shumëzohet vlera e koeficientit me vlerën që do t’i caktohet atij.
Ndërkohë, paga aktuale e mësimdhënësve në shkollat fillore të Kosovës është 470 euro, derisa me ligjin e ri pritet që të rritet dhe të shkojë deri në 620 euro.
Ndërkaq, mësimdhënësit e shkollave të mesme aktualisht marrin nga 530 euro dhe e njëjta pritet të rritet në 696 euro.
Pas pocedurës së konsultimit publik, Projektligji për Pagat pritet të miratohet në Qeveri dhe në Kuvend.