Kryetari i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat, Jusuf Azemi ka thënë se një herë të vetme nuk është ftuar një përfaqësues nga sektori privat për t’u diskutuar lidhur me ndihmën në kuadër të pakos për përballjen e inflacionit.
I ftuar në Debat Plus të RTV Dukagjini, Azemi ka thënë se 50 eurot e ofruara nga pakoja për përballimin e rritjes së inflacionit, pako të cilën e prezantoi krahas Ministrit të Financave, Murati, ishte vetëm një stimulim.
“E bënë një stimulium 50 euro për kompanitë, kam pasur dëshirë që të keni bërë gabim teknik dhe për tre herë radhazi kemi thënë kryeminsitrit po na duhen 100 euro edhe së paku ato 50 euro që keni premtuar. Nuk kemi dialog social, Albin Kurti është kryeministër i imi, dhe jemi prezent kur them se kurrë nuk kam për t’a kërkuar shkarkimin e tij dhe nëse ju e kërkoni, ne kemi me mbajt se nesër ndoshta vepron pozitivisht. Ne na duhet një ministër që punon pak më gjatë në disa çështje që i kemi në rend”, ka deklaruar Azemi.
Ai ka thënë se nuk është kërkuar askush nga sektori privat për të biseduar mbi pakon e përballjes së inflacionit gjersa ka thënë se punëtorët ne sektorin privat paguhen vetëm nga 170 euro në muaj.
“Kur ne kërkojmë që një pjesë e trustit të paguhet jeni shumë dorështrënguar. Ju lutemi, ne nuk i kemi pagat 2-3 mijë euro po nga 170 euro dhe po na kritikoni se duan të rrëzojmë Kurtin. Jo. Ne duam të bashkëpunojmë me të dhe të realizoni të paktën 30 për qind të atyre ç’ka keni premtuar përgjatë fushatës”, ka deklaruar ai.
Ndër të tjera, ai ka thënë se ndonëse ishte premtuar të vendosej në opinion publik, Ligji i Pagave nuk ka për të filluar implementimin e tij deri në vitin 2024 dhe sipas Azemit, një gjë të tillë e dinë të gjithë.