Radhë të gjata janë krijuar në pikën kufitare Vishnevka nga Rusia në Kazakistan, ndërsa mijëra njerëz po vazhdojnë të ikin nga një thirrje e mundshme për luftën në Ukrainë.
Rreth 98 mijë rusë kanë kaluar në Kazakistan gjatë javës që kur Presidenti Vladimir Putin ka njoftuar për një mobilizim të pjesshëm të rezervistëve.
“Mobilizimi u shpall i pjesshëm, por sipas dokumenteve rezulton i plotë”.
“Dhe fjalët e presidentit nuk korrespondojnë me atë që është shkruar në letër. Njerëzit që qëndrojnë këtu kanë frikë se herët a vonë do të shpallet një mobilizim i plotë dhe më pas askush nuk do të mund të kalojë kufijtë”, ka thënë një qytetar.
Disa qytetarë të tjerë po udhëtojnë me tren derisa çmimi i taksive për në kufi është bërë i papërballueshëm për shumicën. Ndërsa Kazakistani ka premtuar se nuk do t’i kthejë pas për në Rusi.
Presidenti i Kazakistanit, Kassym-Jomart Tokayev ka thënë se integriteti territorial i shteteve duhet të jetë i pacenueshëm, raporton euronews.
“Ky është parimi kryesor. Unë gjithmonë kam folur për këtë hapur dhe qartë në arenën ndërkombëtare”, ka shtuar ai.
Ndër të tjera Takayev ka theksuar se Kazakistani nuk do t’i njohë referendumet në territoret e okupuara të Ukrainës, një qëndrim sfidues nga një vend që tradicionalisht është parë si aleat i Moskës.