Ministria e Drejtësisë ka marrë vendim për pezullimin nga puna të kryeinspektorit të Inspektoratit, Ylber Topalli.
Kjo për shkak të pretendimeve për shkeljet e rënda procedurale të cilat ndërlidhen me rastin e Astrit Deharit.
“Mbi bazën e gjetjeve në Raportin e Inspektoratit të Ministrisë së Drejtësisë, sot Komisioni Disiplinor ka marrë vendim për pezullimin nga puna të Kryeinspektorit të Inspektoratit, Ylber Topalli”.
Kështu ka bërë të ditur zëdhënësi i Ministrisë së Drejtësisë, Flamur Pireva, i cili përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook ka thënë se me këtë konstatimet e gjetjeve të Raportit i kanë proceduar edhe në Prokurori të Shtetit.
“Procedura disiplinore ndaj Topallit është iniciuar për pretendimet e shkeljeve të rënda procedurale që janë të ndërlidhura me rastin e ngjarjes së Astrit Deharit, që kishte ndërruar jetë në Qendrën e Paraburgimit në Prizren, më 5 nëntor 2016”, shtoi ai.
“Me këtë rast, pas konstatimit të gjetjeve të Raportit të cilat i kemi proceduar edhe në Prokurori të Shtetit, bëjmë thirrje dhe theksojmë nevojën e vazhdimit të procedurave hetimore për trajtimin e mëtutjeshëm të të gjitha rrethanave deri në zbardhjen përfundimtare të këtij rasti”, shkroi Pireva.
Ndryshe, më 22 shtator, Shërbimi Korrektues i Kosovës i ka pezulluar dy zyrtarët e saj, Burim Buleshkaj dhe Destan Zogaj, për rastin e vdekjes së Astrit Deharit në Qendrën e Paraburgimit në Prizren.
Buleshkaj asokohe drejtonte departamentin për Operativë Siguri dhe Transport të të Burgosurve në SHKK, kurse Zogaj Qendrën e Paraburgimit në Prizren.
Shërbimi Korrektues nuk ka dhënë gjatë ditës më shumë detaje për suspendimin e dy zyrtarëve.
Për Televizionin Dukagjini, përmes telefonit Burim Buleshkaj ka thënë se akoma nuk e ka pranuar vendimin për pezullim.
Ndërkaq, prindërit e Astrit Deharit kanë kërkuar largimin e prokurorit përgjegjës, Afrim Shefkiu, në çështjen e hetimeve të vdekjes së djalit të tyre.
Në një konferencë për media, e ëma e të ndjerit, Xhemilja, ka thënë se kanë kërkuar zëvendësimin e prokurorit aktual në drejtimin e hetimeve të çështjes së Astrit Deharit, Afrim Shefkiu, duke qenë se nga ai nuk kishin marrë asnjëherë përgjigje në pyetjet e tyre.
“Për 4 vjet, 4 fjalë nuk i kemi prej tij. Kemi biseduar me të, nuk na ka ofruar kurrfarë sqarimi, nuk jemi armiq, jemi njerëz që duam të zgjidhim rastin që ka ndodhur në dyert e tyre”, ka thënë e ëma e të ndjerit.
Bashkëshorti i saj, Avni Dehari, ka thënë se ky rast ishte keqpërdorur që nga fillimi i hetimit e njëherësh, kjo përbënte arsyen se pse ishte kërkuar ekspertiza nga vendet e tjera.