Vendet evropiane kanë bërë gara të martën për të hetuar rrjedhjet e pashpjegueshme në dy tubacionet e gazit rus që kalonin nën Detin Baltik pranë Suedisë dhe Danimarkës.
Disa zyrtarë evropianë thanë se shkaku i mundshëm ishte sabotimi, ndërsa Rusia, e cila ndërtoi rrjetin, nuk e përjashtoi atë.
Ministri norvegjez i Naftës dhe Energjisë, Terje Aasland, ka thënë të martën se informacioni fillestar i marrë në lidhje me rrjedhjet tregonte “akte sabotimi”.
Kryeministrja suedeze, Magdalena Andersson, dhe homologia e saj daneze, Mette Frederiksen, të dyja thanë se incidenti ka të ngjarë të ishte “i qëllimshëm”, por minimizuan mundësinë e një kërcënimi ushtarak.
Në Moskë, zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov u ka thënë gazetarëve se asnjë opsion nuk mund të përjashtohet tani.
Të dy tubacionet kanë qenë pika ndezjeje në një luftë të përshkallëzuar energjetike midis kryeqyteteve evropiane dhe Moskës që ka goditur ekonomitë kryesore perëndimore, ka rritur çmimet e gazit dhe ka ndezur një kërkim për furnizime alternative të energjisë.
Sipas operatorit të gazsjellësit “Nord Stream AG”, aktualisht nuk është e mundur të vlerësohet “një afat kohor për rivendosjen e infrastrukturës së transportit të gazit”.
Në një deklaratë të martën në mbrëmje, ai ka shtuar se rënia e presionit në tubacion sugjeronte se kishte pasur dëmtime fizike.
Autoritetet gjermane, daneze dhe skandinave të sigurisë po shikonin nga afër rrjedhjet në Detin Baltik dhe po hetonin shkakun e tyre, sipas ministrit gjerman të Ekonomisë Robert Habeck, i cili gjithashtu ka thënë se furnizimi gjerman me energji nuk ishte prekur.
Më herët gjatë ditës, Autoriteti Detar i Suedisë kishte lëshuar një paralajmërim për dy rrjedhje në tubacionin “Nord Stream 1”, menjëherë pasi u zbulua një rrjedhje në tubacionin “Nord Stream 2”, raporton CNN.
Kriza energjetike e Evropës është duke u thelluar, pasi Rusia kufizon më tej eksportet e gazit natyror, duke i detyruar qeveritë të shpenzojnë miliarda për të mbrojtur bizneset dhe konsumatorët nga rritja e faturave ndërsa rajoni rrëshqet drejt recesionit.
Çmimet standarde evropiane të gazit natyror u rritën me 28 për qind të hënën në mëngjes për të arritur në 274 euro për megavat orë ditën e parë të tregtimit, pasi gjiganti energjetik rus Gazprom ndaloi rrjedhjet përmes tubacionit jetik “Nord Stream 1” për një kohë të pacaktuar, duke pretenduar se kishte gjetur një rrjedhje nafte në një turbinë.