Ana psikologjike e fëmijëve mund të ndikohet shumë lehtë nga situatat të cilat ata mund t’i imagjinojnë në mendjen e tyre më ndryshe se të rriturit.
E për këtë, psikologia për fëmijë, Fatime Sahiti-Bekteshi në emisionin “Jeto” me Xheneta Asllani, në Radio Dukagjini, ka folur për ndikimin e grevës disajavëshe te fëmijët në aspektin afatshkurtë dhe atë afatgjatë.
Ajo ka përmendur edhe pezullimin e grevës që është paralajmëruar nga SBAShK-u ditën e mërkurë të 28 shtatorit, gjersa ka shtuar se edhe kjo situatë mund të rrisë hamendësimet te nxënësit se kur do të fillojë mësimi.
Se sa mund të ndikojë kjo në psikologjinë e nxënësve, ajo ka listuar disa kategori të cilat janë pak më të rënduara.
Sipas saj, këto kategori janë fëmijët, gjenerata e pandemisë dhe adoleshentët.
Psikologia ka thënë se është e vështirë për fëmijët të cilët kanë qenë të përgatitur që procesi mësimor të fillojë më 1 shtator.
“Fëmijët që kanë pasur të nisin klasën e parë, kur në muajin qershor janë organizuar përshëndetjet e fundit atëherë fëmijët kanë përgatitur në mendjen e tyre një kalendar që më 1 shtator të kthehen në shkolla”, ka thënë Sahiti-Bekteshi.
Kategoria e dytë e dëmtuar nga greva siç thotë ajo ka qenë gjenerata e pandemisë.
“Ata kanë humbur orë mësimi në formën online, kanë qenë në një dëm të thellë të performancës akademike dhe psikologjike”, ka vijuar ajo.
Kategoria e tretë sipas saj janë adoleshentët, të cilat me anë të batutave se edhe në këtë javë apo në atë javë nuk po fillon mësimi, e kanë humbur seriozitetin dhe dashurinë për t’iu rikthyer mësimit.
Sipas saj, adoleshentët nuk duhet të kenë model një mësimdhënës që mund të ketë primare vetëm pagën, por një mësimdhënës që ka si parim nxënësin.
Sahiti-Bekteshi ka thënë se nëse dëgjohet një adoleshent duke ofenduar një mësimdhënës është për shkak të batutave dhe debateve televizive që ka parë në rrjetet sociale gjatë kësaj kohe kur po diskutohej për grevat.
“Ata do të mundohen të imitojnë politikanët për të ngritur një dozë humori”, sepse sipas psikologes adoleshentët në këtë fazë janë në ndërtimin e identitetit dhe mundohen që gjithçka të konstruktojnë pak më ndryshe.
Psikologia ndër të tjera ka thënë se greva ka thelluar më shumë vështirësinë që fëmijët të përshtaten në dimensionin fizik dhe psikologjik në shkolla.