Shtohet optimizmi për heqjen e vizave, konsiderohet diskriminuese tejzgjatja e procesit

Çështja e liberalizimit të vizave për Kosovën pritet të jetë në rend të ditës në takimin e grupit punues të Këshillit Evropian më 13 tetor. Procesi i heqjes së vizave për njohësit e marrëdhënieve ndërkombëtare po cilësohet diskriminues dhe i vonuar

Kosova është shteti i vetëm i Ballkanit Perëndimor, qytetarët e të cilit nuk e kanë të drejtën e lëvizjes së lirë në Bashkimin Evropian (BE). Në vitin 2012, Kosova e kishte marrë udhërrëfyesin e liberalizimit të vizave nga BE-ja ku ishin caktuar 95 kritere, që ishte dyfishi i kritereve krahasuar me vendet tjera të Ballkanit. Pas katër vitesh, shteti i Kosovës i kishte plotësuar të 95 kriteret e caktuara nga BE. Por përkundër kësaj, vendi ynë vazhdon të mbesë vendi i vetëm në Ballkanin Perëndimor, i cili nuk ka liberalizim të vizave.

Ndërkaq, çështja e liberalizimit të vizave për Kosovën pritet të jetë në rend të ditës në takimin e grupit punues të Këshillit Evropian më 13 tetor.

Pikërisht për vizat, ministri i Jashtëm i Çekisë, Jan Lipavsky gjatë ditës së enjte do të vizitojë Kosovën, për t’u takuar me liderët e shtetit. Vizita e tij vjen në kohën kur është konfirmuar se liberalizimi i vizave është pjesë e rendit të ditës në Komisionin Evropian në mes të tetorit. Agjendën e tij e ka konfirmuar Qeveria e Çekisë për RTV Dukagjinin. Në përgjigjen e saj thuhet se shteti çek është i interesuar të çojë përpara integrimin e Ballkanit, përfshirë heqjen e vizave për Kosovën.

Në lidhje me këtë çështje, ish-ministri i Integrimeve Evropiane, Bekim Qollaku, theksoi se Kosova që moti i ka plotësuar kriteret e liberalizimit, duke e lënë fajtore BE-në për tejzgjatjen e këtij procesi.

Ish-ministri i Integrimeve Evropiane, Bekim Qollaku

Qollaku, për Portalin Dukagjini ka dhënë detaje për procedurat në të cilat pritet të kalojë procesi i liberalizimit të vizave për Kosovën, teksa ka thënë se është optimist se kësaj here Kosova do të marrë lajme të mira.

“Tashmë e kemi të konfirmuar nga presidenca çeke e BE-së, se temë e diskutimit do të jetë çështja e liberalizimit të vizave, në takimin e radhës të grupit punues, e pastaj në rast se do të ketë një vlerësim pozitiv atëherë i njëjti diskutim do të përcillet në kuadër të grupit Coreper që nënkupton përfaqësuesit permanentë. Nëse edhe aty vendimi do të jetë pozitiv, atëherë përgatitet momenti i vendimmarrjes në nivel të ministrave të Këshillit të BE-së. Nëse gjithçka shkon sipas këtyre parashikimeve dhe parametrave, atëherë pritet që deri në fund të këtij viti BE në kuadër të takimit të vet, në nivel të Këshillit të BE-së, ta marrë vendimin final për liberalizim të vizave”, ka thënë Qollaku.

Megjithatë, përkundër sinjaleve pozitive, Qollaku ka thënë se duhet të jemi “optimistë të rezervuar, duke e pasur parasysh përvojën e hidhur në këtë proces”.

Lufta në Ukrainë shton vëmendjen edhe në Ballkan

Por, çfarë bëri që të kthehet vëmendja te çështja e liberalizimit të vizave për Kosovën në këtë kohë, edhe pse kriteret për të ishin përmbushur në vitin 2016? Sipas, ish-zëvendësministrit të Punëve të Jashtme, Anton Berisha, është lufta në mes të Rusisë dhe Ukrainës, që ka bërë që BE-ja t’i kthejë “sytë”, nga Ballkani Perëndimor.

Ai e ka quajtur absurditet vonesën e vendimit për heqje të vizave për qytetarët e Kosovës, por, megjithatë është shprehur optimist se kësaj here Kosova do ta marrë lajmin e mirë për heqjen e tyre.

“Konteksti gjeopolitik, kriza ruso-ukrainase, ka krijuar një mobilizim për Bashkimin Evropian (BE), që të ketë më shumë kujdes për Ballkanin dhe fakti që pas shumë viteve Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut, kanë nisur procesin e negocimin për në BE, atëherë ka mbetur absurditet që Kosova nuk ka liberalizim të vizave”, ka thënë ai.

Ish-zevëndësministri i Kosovës, Anton Berisha

“Mendoj që kriza ruso-ukrainase, në të cilën Serbia nuk i ka plotësuar kushtet që i ka kërkuar BE për të vënë sanksione, që nuk ka hyrë në linjën e shteteve të BE-së, në njëfarë mënyre e ka dobësuar pozicionin e Serbisë në raport me BE-në, këtu qëndron përparësia që të ndodhë liberalizimi i vizave, ka vijuar ai.

Njëjtë mendon edhe profesori i shkencave politike në Universitetin e Prishtinës, Zenun Halili. Ai ka thënë se lufta në Ukrainë ka bërë që shtetet anëtarë të BE-së të tentojnë ta arrijnë një konsensus sa i përket çështjes së Kosovës dhe liberalizimit të vizave.

Ai ka theksuar se gjasat janë reale që kësaj here qytetarët e Kosovës të lëvizin lirshëm pa viza në vendet e BE-së.

“Për të ndryshuar qasja karshi liberalizimit të vizave siç duket ka ndikuar edhe lufta në Ukrainë, rrethanat e reja të krijuara si dhe stërzgjatja e procesit me 5-6 vjet dallim, tani është arritur një konsensus në mes të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian që në drejtim të Kosovës të bëhet ndonjë lëvizje pozitive, që së paku t’i jepet një liberalizim i vizave, sepse të gjithë fqinjët e saj lëvizin pa to”, ka thënë Halili.

Kujt i takojnë meritat për plotësimin e kritereve?

Ish-ministri i Integrimeve Evropiane, Bekim Qollaku, nuk ia ka atribuuar meritat asnjë qeverie të pasluftës,për plotësimin e kritereve për liberalizim të vizave. Sipas tij, meritën kryesore e kanë zyrtarët shtetërorë dhe shërbyesit civilë, të cilët sipas tij që nga viti 2012 e deri në 2016 kanë punuar për t’i përmbushur të gjitha kriteret e caktuara nga BE-ja, teksa ka shtuar se është për lëvdatë durimi dhe sjellja e mirë edhe e qytetarëve të Kosovës, që kanë qenë dhe janë të diskriminuar.

Ngjashëm me të mendon edhe ish-zëvendësministri i Punëve të Jashtme, Anton Berisha, i cili ka thënë se pavarësisht tentimit të Qeverisë Kurti që t’i marrë meritat, është momentumi politik ai që do të jetë vendimtar për heqjen e vizave.

“Pavarësisht zhvillimeve politike në kuptimin teknokratik i kanë plotësuar kushtet, nuk ka ndonjë meritë apo çmeritë e ndonjë qeverie të veçantë, sepse procesi ka ecur në rrugën e vet, siç e thashë është dashur të ndodhë liberalizimi. Konteksti i tashëm është tipik gjeostrategjik-gjeopolitik, dhe s’ka të bëjë asgjë me qeverinë Kurti as me qeverinë paraprake, por është momentumi politik”, ka thënë ai.

Por, sipas Berishës, liberalizimi i vizave mund të vinte më herët sikurse opozita e vitit 2016 në krye me Lëvizjen Vetëvendosje të mos krijonte probleme, duke aluduar në gjuajtjen e gazit lotsjellës në Kuvendin e Kosovës.

“Është fakt i notuar, që sikur VV në vitin 2016 të mos krijonte probleme, që atëherë të ndodhte liberalizimi në periudhën 2016-2018. Natyrisht që sukseset, meritore apo jo, sigurisht që qeveria aktuale i përfiton, ne s’kemi asgjë kundër që proceset pozitive të ndodhin dhe s’kemi arsye për shkak kjo qeveri të mund të përfitojë, ne nuk kem logjikë minusi, me rëndësi që Kosova të përfitojë, dhe kjo është kryesorja, kush i merr meritat është më pak e rëndësishme”, ka vijuar ai.

Edhe profesori universitar, Zenun Halili, ka thënë se vonesat në miratimin e demarkacionit me Malin e Zi kanë bërë që liberalizimi i vizave të zvarritet.

No description available.
Profesori universitar, Zenun Halili

“Tani ne vetëm se dimë se që nga koha e demarkacionit është premtuar se do ta kemi liberalizmin e vizave, por për shkaqe të vonesave që kanë ndodhur për shkak të disa problemeve të partive opozitare në Kosovë të cilat e kishin kundërshtuar demarkacionin kemi pasur vonesa dhe shto faktin se dhe disa shtete siç është Franca, Holanda, kanë pasur hezitime, rezerva për liberalizim të vizave për Kosovën”, ka thënë Halili, teksa ka shtuar se procedurat e heqjes së vizave mund të zgjasin nga tre deri në nëntë muaj.

“Zërat” pro liberalizimit të vizave për kosovarët

Kohëve të fundit janë shtuar zërat pro heqjes së vizave për qytetarët e Kosovës, shumë vende dhe organizata të BE-së kanë bërë thirrje që Kosovës t’i hiqet regjimi i vizave, duke dhënë argumente se kriteret janë plotësuar.

Më 16 shtator të këtij viti, Franca, Gjermania dhe Polonia përmes një deklarate të përbashkët të publikuar nga Ministria e Punëve të Jashtme gjermane, kanë bërë thirrje për progres në lidhje me liberalizimin e vizave për Kosovën.

“Ne bëjmë thirrje për progres në lidhje me liberalizimin e vizave për Kosovën. Vendet tona janë të përkushtuara fuqishëm ndaj Procesit të Berlinit si një mjet shtesë për të nxitur bashkëpunimin rajonal dhe anëtarësimin në BE të vendeve të Ballkanit Perëndimor”, thuhej në deklaratën e tyre të përbashkët.

Thirrje për liberalizim të vizave për Kosovën ka bërë edhe Komisioni Evropian. Anitta Hipper, zëdhënëse për çështje të brendshme dhe migracion, në emër të Komisionit Evropian (KE), ka ftuar 27 vendet anëtare të Bashkimit Evropian që të marrin veprime për heqjen e vizave për qytetarët e Kosovës.

Anitta Hipper, zëdhënëse për çështje të brendshme dhe migracion në KE

“27 vendet anëtare t’i japin Kosovës liberalizimin e vizave pa vonesa. Pas pesë vjetësh angazhimi të gjatë në mes të qeverive dhe KE-së, që në muajin e ardhshëm edhe një herë tjetër do ta përsëritë qëndrimin e saj për përmbushjen e të gjitha kritereve për Kosovën për të gëzuar lëvizjen e lirë në territorin e bllokut evropian, siç bëjnë pesë vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor që nga 2009-2010”, ishte shprehur Hipper.

Optimist për heqjen e vizave është shprehur edhe ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, i cili ka thënë se ky proces mund të përfundojë në fillim të vitit të ardhshëm.

Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde

Kurse, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ditë më parë, në një deklaratë publike kishte thënë se ka marrë mbështetje sa i përket heqjes së vizave nga presidenti i Francës, Emmanuel Macron, megjithëkëtë sipas saj, nuk duhet të ngriten shpresat lart, për shkak se kjo çështje nuk është më në duar të Kosovës por të vendeve të BE-së.

Shija e redaktorit

Të martën “Dukagjini” promovon librin “Kape Lepurin” të Lana Bastašić-it

Për të gjithë ju dashamirë të librit, shtëpia botuese “Dukagjini” ka njoftuar se më 26 nëntor, ditën e martë, në orën 18:00, në librarinë...

Hamza: Me Fondin e Papunësisë do t’i mbështesim të gjithë...

Kandidati i PDK-së për Kryeministër, Bedri Hamza, ka dhënë një lajm të mirë për të gjithë punëtorët që i humbin vendet e punës. “Me...

Shtëpia Botuese “Dukagjini” Promovon në Tiranë serinë e Lektyrave Shkollore

Në ditën e katërt të edicionit të 27-të Panairit të Librit në Tiranë, Shtëpia Botuese “Dukagjini” promovoi serinë e lektyrave shkollore, e cila këtë...

Të fundit nga rubrika