Bajrami: I fyem praktikantët kur i krahasuam me Qeverinë

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, ka thënë se “për popullistët është më rëndësi që Kurti e 'gjunjëzoi' Jasharajn”

Hykmete Bajrami, deputete e Lidhjes Demokratike të Kosovës





“I kemi fyer praktikantët kur ju kemi quajtur ”Qeveri e praktikantëve”, praktikantët megjithatë punojnë diçka”.

Kështu ka thënë deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, teksa e ka kritikuar Qeverinë e Kosovë të udhëhequr nga kryeministri Albin Kurti për moszgjidhjen e problemit me grevën në arsim, e cila ka nisur që pesë javë.

Ajo, me anë të një postimi në llogarinë e saj në Facebook, ka thënë se “për popullistët është me rëndësi që Kurti e ‘gjunjëzoi’ Jasharajn”.

“Më 11 mars 2020, me vendim të Qeverisë u mbyllën shkollat në tërë vendin, për shkak të pandemisë COVID-19. Më 23 mars d.m.th. vetëm pas 12 ditësh, filloi e-mësimi në RTK. Tani në kushte normale, që një muaj nuk mbahet mësim dhe Qeveria, MASHTI nuk marrin asnjë përgjegjësi. Çka me miliona orë mësimi të humbura për plot 318 mijë fëmijë të këtij vendi?”, shkroi ajo.

Java e pestë në Kosovë i gjen ende në grevë 99.6 për qind të mësimdhënësve në nivel vendi, e mijëra nxënës jashtë shkollave.

Kjo për shkak të moskompromisit nga asnjëra palë, qoftë nga Qeveria e qoftë edhe nga sindikalistët e arsimit të cilët nuk heqin dorë pa u plotësuar plotësisht kërkesat e tyre.

Mësimdhënësit e institucioneve publike po vazhdojnë grevën, me kërkesën për mbështetje financiare prej 100 eurosh në muaj.

Ndonëse përjashtim kanë bërë vetëm disa mësimdhënës që individualisht kanë nisur t’i mbajnë orët mësimore, megjithatë, janë afro 300 mijë nxënës që nuk kanë nisur ende procesin mësimor i cili ishte paraparë të niste më një shtator.

Çka parasheh Projektligji për Pagat?

Ndryshe, Projektligji për Pagat në sektorin publik, të enjten e 15 shtatorit ka dalë në konsultim publik, teksa edhe janë bërë publike koeficientet.

Projektligji për Pagat ka për qëllim kryesor përcaktimin dhe rregullimin e sistemit të pagave dhe shpërblimeve për të gjithë të punësuarit që përfitojnë pagë nga buxheti i Kosovës.

Nga kjo kategori e cila mbulohet me këtë projektligj përjashtohet vetëm Agjencia Kosovare e Inteligjencës, për arsye se ka natyrë tejet specifike të punës.

Projektligji, përmes sistemit të pagave që synon të krijojë, do të rregullojë edhe mënyrën dhe kushtet e pagesës për kategoritë të cilat i rregullon.

Ky projektligj përjashton mundësitë që mënyra dhe kushtet për pagë dhe shpërblime të rregullohen me akte të tjera normative, përveç kur parashihet dhe autorizohet shprehimisht me këtë projektligj.

Fillimisht, Ministria e Punëve të Brendshme ka themeluar një grup punues i cili ka analizuar të gjitha mangësitë dhe anomalitë e ligjit të shfuqizuar, aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese, si dhe ka ofruar shembuj të praktikave të mira të cilat do të mund të shërbenin në hartim të këtij ligji.

Më pas, është themeluar grupi punues i projektligjit për paga, i cili ka bërë punën substanciale në ligj.

Përgjatë hartimit të Projektligjit janë ftuar dhe konsultuar të gjitha institucionet e administratës publike.

Një koeficient ka vlerën e 120 eurove, e cila për t’u llogaritur paga, duhet të shumëzohet vlera e koeficientit me vlerën që do t’i caktohet atij.

Ndërkohë, paga aktuale e mësimdhënësve në shkollat fillore të Kosovës është 470 euro, derisa me ligjin e ri pritet që të rritet dhe të shkojë deri në 620 euro.

Ndërkaq, mësimdhënësit e shkollave të mesme aktualisht marrin nga 530 euro dhe e njëjta pritet të rritet në 696 euro.

Pas pocedurës së konsultimit publik, Projektligji për Pagat pritet të miratohet në Qeveri dhe në Kuvend.





Shija e redaktorit

Të martën “Dukagjini” promovon librin “Kape Lepurin” të Lana Bastašić-it

Për të gjithë ju dashamirë të librit, shtëpia botuese “Dukagjini” ka njoftuar se më 26 nëntor, ditën e martë, në orën 18:00, në librarinë...

Hamza: Me Fondin e Papunësisë do t’i mbështesim të gjithë...

Kandidati i PDK-së për Kryeministër, Bedri Hamza, ka dhënë një lajm të mirë për të gjithë punëtorët që i humbin vendet e punës. “Me...

Shtëpia Botuese “Dukagjini” Promovon në Tiranë serinë e Lektyrave Shkollore

Në ditën e katërt të edicionit të 27-të Panairit të Librit në Tiranë, Shtëpia Botuese “Dukagjini” promovoi serinë e lektyrave shkollore, e cila këtë...

Të fundit nga rubrika