Sindikata e Bashkuar e Arsimit kërkoi mendimin e anëtarësive të shkollave, çerdheve e Universiteteve të pezullohet greva a po jo. Urdhrat e SBASHK-ut disa i zbatuan këtë të enjte.
Kështu vepruan edhe të gjithë mësimdhënësit e shkollës “Dardania” në Prishtinë. Pavarësisht që votat e tyre nuk i bën publike, diskutime brenda arsimtarëve po duket që ka.
Por, drejtori i shkollës “Dardania” në Prishtinë e konfirmoi votimin që është anonim.
“Po, sot prej orës nëntë deri në orën nëntë e tridhjet të gjithë mësimdhënësit kanë votu, votat janë të mbyllura dhe ende nuk i dimë rezultatet”, ka thënë Bregaj.
Njëjtë kanë vepruar edhe në shkollën “Mihal Grameno” në Komunën e Fushë Kosovës.
Mësimdhënësit e konfirmuan që kanë përfunduar procesin e votimit por nga Këshilli Grevist edhe këtë informacion e konsideruan konfidencial.
Por, janë disa mësimdhënës që treguan haptas qëndrimin e tyre. Një ndër to është Ajshe Zogjjani nga shkolla “Sami Frashëri” në Prishtinë.
“Me shumicë votash u vendos që greva të vazhdoj deri sa të gjendet një zgjidhje të përshtatshme për neve mësimdhënësit”, ka theksuar Zogjani.
Por, pavarësisht kësaj nga Këshilli Grevist po thonë se akoma nuk ka asnjë rezultat përfundimtar.
“Mund të ju siguroj që ende nuk ka pasur asnjë deklarim nga anëtarësia, së paku asnjë anëtar i sindikatave komunale nuk kanë ardhur në zyrat e SBASHK-ut për t’i sjell rezultatet e anëtarësisë”, ka potencuar Hanife Salihu nga Këshilli Grevist.
Deri të shtunën pritet që Sindikata e Bashkuar e Arsimit të dal me një qëndrim përfundimtar rreth votimit të anëtarësisë nëse duhet të nis mësimi të hënën apo të vazhdoj greva tashmë një mujore në arsim.