Shtetet e Bashkuara “kurrë, kurrë, kurrë” nuk do t’i njohin përpjekjet e Rusisë për t’i aneksuar territoret e Ukrainës, tha presidenti Joe Biden.
Ai po fliste përpara një fjalimi të premten nga Vladimir Putin, i cili pritet të deklarojë se katër rajone të Ukrainës po i bashkohen Rusisë.
Kremlini thotë se Luhansk, Donetsk, Zaporizhzhia dhe Kherson votuan për t’u bashkuar me Rusinë në referendumet e fundit.
Por Ukraina dhe Perëndimi i kanë hedhur poshtë votat duke i cilësuar si mashtrim.
SHBA do të vendosë sanksione të reja ndaj Rusisë si rezultat i aneksimit.
“Shtetet e Bashkuara, dua të jem shumë i qartë për këtë, kurrë, kurrë, kurrë nuk do t’i njohin pretendimet e Rusisë mbi territorin sovran të Ukrainës”, tha zoti Biden.
Të enjten, presidenti rus nënshkroi dy dekrete që njohin Zaporizhzhia dhe Kherson si territore të pavarura, duke hapur rrugën për aneksimin e tyre.
Dokumentet, të shpërndara në mediat shtetërore ruse, thonë se pavarësia e të dy rajoneve po njihet në përputhje me të drejtën ndërkombëtare dhe “të mishëruar në Kartën e Kombeve të Bashkuara”.
Megjithatë, Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së António Guterres ka thënë se çdo aneksim i territorit të një vendi bazuar në përdorimin e forcës shkel Kartën e OKB-së dhe ligjin ndërkombëtar.
Është një “përshkallëzim i rrezikshëm” që “nuk ka vend në botën moderne”, tha ai.
Në një telefonatë me zotin Putin, presidenti i Turqisë Rexhep Tajip Erdogan shprehu gjithashtu kundërshtimin e tij ndaj planit rus.
Sipas një zëdhënësi Erdogan i bëri thirrje liderit rus që të ulë tensionin dhe t’i japë një tjetër shans negociatave të paqes me Ukrainën.
Turqia, së bashku me OKB-në, ka ndërmjetësuar në negociatat midis Rusisë dhe Ukrainës në të kaluarën – me sukses në arritjen e një marrëveshjeje për të rifilluar eksportet e grurit përmes Detit të Zi.