Greva në sektorin e arsimit është duke e kaluar edhe javën e pestë, ndërsa mbi 300 mijë nxënës ende nuk e kanë filluar vitin e ri shkollor. Pikërisht për grevën ka reaguar Fondi i Kombeve të Bashkuara për Fëmijët (UNICEF), të cilët e kanë shprehur shqetësimin e tyre për vonesën e hapjes së shkollave, të cilat do të duhej të hapeshin më një shtator të këtij viti.
“Fëmijët e shkollave fillore dhe të mesme në Kosovë tash e katër javë nuk kanë qasje në arsim. UNICEF-i është thellësisht i shqetësuar me këtë vonesë në fillimin e vitit shkollor, veçanërisht në kohën kur të gjitha përpjekjet duhet të fokusohen në kompensimin e humbjeve të mësimit për shkak të pandemisë COVID-19”, thuhet në njoftimin e Unicefit.
Në njoftim thuhet se privimi i vazhdueshëm i së drejtës për arsimim mund të ketë pasoja serioze në “arritjet arsimore, shëndetin mendor dhe mirëqenien e fëmijëve”.
Në njoftimin e UNICEF-it thuhet se duhet të sigurohemi që nxënësit t’i kthehen mësimit sa më shpejt.
Grevat e sindikatave kanë filluar që nga data 25 gusht e këtij viti dhe janë duke vazhduar ende. Kërkesë kryesore e tyre është shtesa prej 100 eurosh, deri në miratimin e Ligjit të Pagave, i cili tashmë është në konsultim publik.