Zyra greke në Kosovë ka treguar se Greqia mbështet liberalizimin e vizave për Kosovën.
“Greqia ka qenë dhe është në mbështetje të liberalizimit të vizave”, thuhet në reagimin e tyre.
Greqia është një nga pesë shtetet e Bashkimit Evropian (BE), që ende nuk e ka njohur pavarësinë e Kosovës, por për dallim nga disa vende të tjera ka treguar mbështetje sa i përket liberalizimit të vizave.
Kosova është shteti i vetëm i Ballkanit Perëndimor, qytetarët e të cilit nuk e kanë të drejtën e lëvizjes së lirë në Bashkimin Evropian (BE). Në vitin 2012, Kosova e kishte marrë udhërrëfyesin e liberalizimit të vizave nga BE-ja ku ishin caktuar 95 kritere, që ishte dyfishi i kritereve krahasuar me vendet e tjera të Ballkanit. Pas katër vjetësh, shteti i Kosovës i kishte plotësuar të 95 kriteret e caktuara nga BE. Por përkundër kësaj, vendi ynë vazhdon të mbesë vendi i vetëm në Ballkanin Perëndimor, i cili nuk ka liberalizim të vizave.
Ndërkaq, çështja e liberalizimit të vizave për Kosovën pritet të jetë në rend të ditës në takimin e grupit punues të Këshillit Evropian më 13 tetor.