Prokuroria Themelore në Prishtinë ka njoftuar të premten se ka identifikuar një lokacion të dyshimtë në Novobërdë ku dyshohet të jetë trupi i zhdukur i Bedri Rexhepit.
Sipas njoftimit nga Prokuroria, janë siguruar prova shtesë lidhur me rastin që dyshohet se është “Rrëmbim”. Dhe se janë gjetur, disa mbetje mortore në një zonë kodrinore-malore në Novobërdë.
“Gjatë ditës së sotme, prokurori i rastit së bashku me njësitë policore përgjegjëse, Institutin e Mjekësisë Ligjore (IML) dhe Forcën e Sigurisë së Kosovës (FSK), kanë dalë në një zonë kodrinore-malore të Novobërdës dhe gjatë verifikimit të terrenit është arritur të identifikohet një lokacion i dyshimtë me të cilën pas gjurmimit nga njësitë përgjegjëse janë gjetur mbetje mortore (të dekompozuara), të cilat dyshohen se kanë të bëjnë me rastin e “Rrëmbimit” “, thuhet në njoftimin nga Prokuroria në koordinim me Policinë e Kosovës.
Ndërkaq, të njëjtat do t’i nënshtrohen ekzaminimeve të nevojshme për të konstatuar identitetin e këtyre mbetjeve mortore.
Prokuroria ka thënë se mbetjet mortore do t’i nënshtrohen ekzaminimeve të nevojshme për të konstatuar identitetin e tyre.
Jeton Vllasaliu e pranon se e ka vrarë Bedri Rexhepin
Jeton Vallasaliu, e ka pranuar para prokurorisë se e ka vrarë Bedri Rexhepin i cili ishte zhdukur qysh në prillin e 2021-ës.
Këtë e ka konfirmuar avokati i tij për RTV Dukagjinin, Berat Tmava.
“Meqë është publikuar në media, e konfirmoj se klienti im e ka pranuar se e ka vrarë Rexhepin”, tha shkurt ai duke shtuar se nuk do të japin detaje meqë mund të ndikojë në hetim.
Gjithashtu, pas njoftimit nga Prokuroria, avokati i familjes Rexhepi, Besnik Berisha, ka deklaruar se ka zhvillime të reja për rastin e Bedri Rexhepit, por ka kërkuar për mirëkuptim derisa organet e hetuesisë të dalin me njoftim zyrtar, i cili sipas tij, do të vijë së shpejti.
Ndërsa, i njëjti në një postim në Facebook ka shkruar se “pritjes për të ditur për fatin e tij (Bedri Rexhepit) po i vjen fundi, por fatkeqësisht jo edhe jo dhimbjeve shpirtërore të familjes dhe miqve të Bedriut”.
“Këto nga sot do jenë edhe më të mëdha e më të rënda, në pritje të një vendimi të drejt e të ligjshëm për rastin e tij”, ka shtuar tutje avokati Berisha.