Nëpërmjet një njoftimi për media, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) ka bërë të ditur se të premten e 30 shtatorit ka ngritur aktakuzë në Gjykatën Themelore në Prishtinë në Departamentin Special, kundër gjashtë të pandehurve me iniciale B.I., Sh.I., M.I., U.Q., F.M dhe A.Z.
PSRK-ja ka njoftuar se të pandehurit e lartpërmendur me dashje dhe dijeni në mënyrë aktive kanë marrë pjesë në veprimtarinë kriminale të grupit të organizuar, të cilët me qëllim që vetes t’i sjellin përfitime të kundërligjshme, janë marrë pa autorizim me prodhimin, përpunimin, blerjen, transportin dhe shitjen e narkotikëve të llojit marihuanë dhe kokainë.
Pra, sipas Prokurorisë Speciale, “Me këto veprime të pandehurit e lartcekur kanë kryer veprën penale “Pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal të organizuar” nga neni 277 paragrafi 1 të KPRK-së lidhur me veprat penale “Blerja posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge” nga neni 267 paragrafi 2 të KPRK-së dhe ‘’Prodhimi dhe përpunimi i paautorizuar i narkotikëve, substancave psikotrope, analoge apo veglave, pajisjeve apo materialeve narkotike’’ nga neni 268 paragrafi 1 të KPRK-së”, thuhet në njoftim.
Sipas njoftimit, i pandehuri me iniciale B.I. ka pasur në pronësi dhe posedim të paautorizuar, në kundërshtim me Ligjin e zbatueshëm për armët, armë dhe municion.
“Ndërkaq, i pandehuri B.I. ka pasur në pronësi dhe posedim pa autorizim, në kundërshtim me Ligjin e zbatueshëm për armët-Ligji nr. 05/L-022, neni 3 paragrafi 2, armë dhe municion të cilat janë gjetur me rastin e zbatimit të Urdhërkontrollit të Gjykatës dhe janë sekuestruar nga Policia e Kosovës”, thuhet në njoftim.
Më tej në njoftim thuhet se “Me këto veprime i pandehuri B.I., ka kryer veprën penale ’Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të pa autorizuar të armëve’ nga neni 366 paragrafi 1 të KPRK-së”.