Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nëpërmjet një postimi në Facebook, ka kujtuar ish-rektorin e Universitetit të Prishtinës, në 25-vjetorin e protestës studentore të 1 tetorit 1997.
Kurti tha se studentët në këtë protestë nuk ishin vetëm, pasi kishin një figurë të jashtëzakonshme si Ejup Statovci.
“Studentët nuk ishin vetëm, sepse e kishin një figurë të jashtëzakonshme si Profesori Ejup. Ai i cili dekadat e jetës së tij, ia dedikoi Universitetit, Kosovës, popullit dhe mbarë kombit shqiptar”, ka shkruar Kurti.
Kryeministri Kurit theksoi se më 1 tetor “studentët shqiptarë rikthyen dinjitetin. Nga heshtja e ndër padrejtësi, u ngritën me madhështinë e vullnetit për të jetuar të lirë. Një lëvizje studentore që përshpejtoi përpjekjen drejt çlirimit të vendit”.
Më tej, Kurti ka shkruar se ky marshim paqësor i studentëve ishte drejt rrugës për arsim e edukim të lirë, liri e pavarësi.
“Ne, marshuam paqësisht, për lirimin e hapësirave të ndaluara të kampusit universitar, drejt rrugës për arsim e edukim të lirë, të drejta të patjetërsueshme, liri e pavarësi”, ka thënë Kurti, mes të tjerash.
Kurti e përfundoi duke thënë se “I kujtojmë e nderojmë përherë profesorët e studentët e protestës së 1 tetorit, ata që patën guxim, që sfiduan okupimin serb dhe e bënë rezistencën aktive”.