Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve ka njoftuar qytetarët të shtunën, për hapjen e aplikimit për fëmijët e lindur nga 1 janari i vitit 2011 që të përfitojnë nga Shtesat për Fëmijë.
Hapjen e aplikimit për të përfituar nga Shtesat për Fëmijë e ka bërë të ditur kryeministri Albin Kurti, të martën e 27 shtatorit.
Më 27 shtator, Kurti ka njoftuar se afro 200 mijë fëmijë dhe mbi 20 mijë lehona janë përfitues të shtesave, gjersa ka shtuar se në muajin tetor do të hapet aplikimi edhe për fëmijët e lindur në vitin 2011.
“Rishtazi hapëm aplikimin për fëmijët e lindur në vitin 2012, e në tetor do ta hapim edhe për fëmijët e lindur në vitin 2011. Kështu, gradualisht po zgjerojmë skemën e shtesave drejt synimit tonë për të përfshirë të gjitha gjeneratat deri në moshën 16-vjeçare”, ka shkruar Kurti në Facebook.