Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, përmes një postimi në Facebook, ka njoftuar të gjithë nxënësit dhe mësimdhënësit se të hënën e 3 tetorit do të fillojë mësimi në të gjitha nivelet e arsimit parauniversitar.
Përgatitjet për fillimin e vitit shkollor ishin bërë edhe para një muaji, por si pasojë e grevës mësimi nuk kishte filluar.
“MAShTI i kishte bërë përgatitjet e duhura që viti i ri shkollor të fillonte më 1 shtator kur, zyrtarisht, duhej të fillonte mësimi, por që kjo nuk u realizua për shkak të grevës së organizuar nga SBASHK”, shkruhet në postim.
Sipas njoftimit të MAShTI-t, të hënën do të formohet edhe grupi punues, i cili do të rishikojë Udhëzimin Administrativ për Kalendarin e vitit shkollor në bazë të të cilit edhe do të bëhen riplanifikimet në shkolla.
Ndër të tjera, thuhet se të gjitha tekstet shkollore janë shpërndarë në komuna e shkolla, sipas kërkesave të Drejtorive Komunale të Arsimit.