“Çka është bërë me Ligjin e Personave që kanë plagë qe 23 vjet?”.
Ligji të cilin Bajram Qerkinaj e përmend nuk dihet se çfarë faze të përgatitjes gjendet.
Kjo normë ligjore është kërkesë e vazhdueshme si e Qerkinajt nga shoqata “Zëri i Prindërve”, ashtu edhe shumë familjarëve të personave të zhdukur gjatë luftës së fundit në Kosovë.
Hartimi i Ligjit të ri për Personat e Zhdukur po zvarritet nga institucionet teksa familjarët thonë se po ju humbet durimi.
Ata tregojnë se institucionet u kanë premtuar se me këtë ligj do t’u njihet e drejta për të marrë dy pensione, atë të pleqërisë dhe kompensimin e të qenurit familjar i personave të zhdukur.
Kjo pasi që akualisht, ata duhet të zgjedhin mes njërit prej tyre.
“Mjerisht të gjithë rrijmë me vesh hapur, kur, kur, kur? Unë kam qenë në një strategji, të cilën është thënë se është kry pjesa e jurispodencës së Kosovës, e kemi dërgu në komisioni, e kemi kry, por në Kuvend ende s’ka dalë, pse s’ka dalë se nuk po don politika me rehatu popullin”, ka thënë Bajram Qerkinaj nga Shoqata “Zëri i Prindërve”.
Nga ana tjetër edhe Nesrete Kumnova nga shoqata “ Thirrjet e Nënave” thotë se kanë marrë një sërë premtimesh por që tani janë në pritje të realizimit të tyre.
“Pensioni i pleqërisë na takon se kemi dhënë kontributin, na takon, pensioni tjetër është pension i dhimbjes, megjithatë edhe ky na takon, po presim çdo moment. Na kanë premtu dhe ne po rrijmë me këto premtime edhe ndonjë ditë, nëse jo prapë do bëhemi një grup i familjarëve dhe do të shkojmë te zv. kryeministri Bislimi ta kërkojmë”, ka thënë Nesrete Kumnova “Thirrjet e nënave”.
E, institucioni që ka ka nisur punën për hartimin e këtij projektligji thotë se ka kryer përgjegjësinë e vet. Ministria e Drejtësisë thonë se projektligji është dërguar në Zyrën ligjore të Kryeministrit.
“Qeveria e Republikës së Kosovës, me vendimin nr. 04/107, dt. 18.06.2019, ka aprovuar Koncept Dokumentin për Personat e Zhdukur. Meqenëse opsionet e Koncept Dokumentit të miratuar në Qeveri, përveç Ligjit nr. 04/L-023 për Personat e Zhdukur, ku Ministria e Drejtësisë është hartuese, kanë prekur edhe fushëveprimin e dy ligjeve të tjera, ligje këto ku Ministria e Drejtësisë nuk është hartuese e tyre, siç janë: Ligji nr. 04/L-054 për statusin dhe të drejtat e dëshmorëve, invalidëve, veteranëve, pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, viktimave civile dhe familjeve të tyre dhe Ligji nr. 04/L-131 për skemat pensionale të financuara nga shteti, Qeveria e Republikës së Kosovës, me kërkesën e Ministrisë së Drejtësisë, ka bartur këtë Projektligj në Zyrën Ligjore të Zyrës së Kryeministrit dhe të njëjtin e ka përfshirë në Programin Legjislativ në kuadër të ZKM-së.”
Por nga zyra e kryeministrit Albin Kurti qe dy ditë nuk ka kthyer asnjë përgjigje lidhur me atë se kur ky projektligj mund të procedohet në Kuvend.
Informacionet kanë munguar edhe për përmbajtjen e draftit aktual, derisa të paqasshëm kanë qenë edhe zyrtarë të Komisionit Qeveritar për të Pagjeturit.